Flet profesori i së drejtës, tregon veprimin e qeverisë së re me taksën ndaj Serbisë

  • 20 September 2019 - 08:21
Flet profesori i së drejtës, tregon veprimin e qeverisë së re me taksën ndaj Serbisë

“Tarifat në importet e mallrave e të shërbimeve nga Serbia e Bosnja e Hercegovina pashmangshëm pritet të suprimohen por ekzekutivi i ardhshëm duhet të jetë i kujdesshëm, do të duhej të bënte atë koncesion që kërkohet por të ekuilibruar me të gjitha postulatet respektive në favorin e vendit tonë dhe jo të Serbisë”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Duke parë dhe analizuar me kujdes mesazhet e pa ndërprera diplomatike, Qoftë nga Evropa qoftë nga Amerika, të cilat po i vijnë që tani qeverisë së re të Kosovës, madje gati në formë ultimative për zhbllokimin e bisedimeve me Serbinë, duke kërkuar pezullimi i taksës për prodhimet serbe e boshnjake, profesori i së drejtës, Riza Smaka konsideron se Kosova duhet ta shfrytëzojë me mençuri këtë taksë, në mënyrë që të mos bëjë koncesione të tjera të dëmshme kundër interesit të shtetit, por vetëm përmes taksës të arrihet deri te marrëveshja e favorshme për Kosovën dhe e balancuar edhe për interesat e perëndimit.

Këtë veprim të kujdesshëm nga politika kosovare, sipas profesorit Smaka, duhet pasur parasysh se tani janë në pyetje edhe interesat strategjike globale të fuqive të mëdha në rajon,prandaj presioni për një kompromis në dëm të Kosovës mundë të jetë akoma më i madh.

Image
Riza Smaka

Riza Smaka këtë mendim e bazon në deklarimin e hapur të ambasadorit amerikan në Beograd Kyle Scott i cili në mënyrë të hapur e ka thënë se tani është e rëndësishme që Prishtina të marrë një qeveri të re, të heq taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të vazhdojë dialogun.

“Në botën bashkëkohore ka jo pak zona konfliktuoze, madje shumë të rrezikshme për proceset e interesat globale, në radhë të pare të SHBA-ve. Relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë vetëm të tyre ngase në të njëjtat ngërthehen interesat e fuqive politike ushtarake të kohës”, tha Riza Smaka për Kosova Sot Online”.

Sipas profesorit Smaka, për të pasur sukses politika e perëndimit, ndikimi i SHBA-ve në këtë rajon, kërkohet me ngulëm edhe përmbyllja e çështjeve të hapura.

“Së andejmi me bazë, veçanërisht nga SHBA –të, insistohet së pakut mbyllja e shtegut të hapur ndërmjet këtyre dy shteteve fqinjë e me çështje problemore serioze e të shumta. Tarifat në importet e mallrave e të shërbimeve nga Serbia e Bosnja e Hercegovina pashmangshëm pritet të suprimohen por ekzekutivi i ardhshëm duhet të jetë i kujdesshëm, do të duhej të bënte atë koncesion që kërkohet por të ekuilibruar me të gjitha postulatet respektive në favorin e vendit tonë dhe jo të Serbisë”, përfundoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)