Ja dëshmia: Merkel i dha edhe një mesazh të fortë Thaçit dhe Vuçiqit

  • 20 September 2019 - 08:25
Ja dëshmia: Merkel i dha edhe një mesazh të fortë Thaçit dhe Vuçiqit

“Kjo është edhe një dëshmi se pozicionimi i pa lëkundur gjerman kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës në bisedimet me Serbinë mbetet shpresa dhe garancia e vetme evropiane për rrëzimin e projektit të shkëmbimit të territoreve të ndërtuar kriminalist në pazaret e fshehta mes Hashim Thaçit e Aleksandër Vuqiqit, me ndërmjetësimin e Edi Ramës e Baton Haxhiut”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”

Në vizitën e fundit që pati në Gjermani dhe takimin e saj me kancelaren, Angela Merkel, kryeministrja serbe, Ana Brnabiq e ka thënë qartë se çështja e Kosovës është e vetmja pikë e mospajtimit që kanë pasur në bisedimet e zhvilluara, pasi pala gjermane e ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke analizuar raportimet rreth këtij takimi, analisti politik, Florim Zeqa tha për “Kosova Sot Online” se mesazhin që e mori kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq nga takimi me Merkelin në Gjermani, ishte mesazh i qartë për mos ndryshim të kufijve në Ballkan, dhe një goditje e rëndë kundër ideatorëve të këtij opsioni të marrëveshjes.

Image
Florim Zeqa

“Ishte përgjigja e prerë e shtetit gjerman kundër planit për shkëmbim territoresh i bërë pazar mes Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit. Kjo është edhe një dëshmi se pozicionimi i pa lëkundur gjerman kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës në bisedimet me Serbinë mbetet shpresa dhe garancia e vetme evropiane për rrëzimin e projektit të shkëmbimit të territoreve të ndërtuar kriminalist në pazaret e fshehta mes Hashim Thaçit e Aleksandër Vuqiqit, me ndërmjetësimin e Edi Ramës e Baton Haxhiut”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai ka rikujtuar se ndarja e qytetit të Mitrovicës nga forcat ruso-franceze 20 vite më parë, nuk ishte rastësi, por qëllim dhe plan i hartuar paraprakisht.

“Nëse nuk ka marrëveshje tjera të mëhershme për ndarjen e veriut të Kosovës, siç mund të ketë pasur në vitin '99, në Kumanovë apo Rambuje, nga e cila kanë hyrë trupat tokësore të NATO-s ne Kosovë, nga të cilat bisedimet e Brukselit mund të jenë vetëm "fizkultura" politike në përgatitjen e opinionit për jetësimin e marrëveshjes, atëherë lirisht mund të konstatojmë vdekjen e planit për ndarje të Kosovës”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sido që të jetë, Zeqa beson se Gjermania mbetet aleati më i fuqishëm evropian i Kosovës nga çlirimi i vendit, e deri në ditët e sotme, sikur që është tani edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale në procesin e bisedimeve për normalizim e njohje, por testi dhe konsistenca mbetet tek politika dhe institucionet e Kosovës.

“Pyetja shtrohet, a po bëjmë ne atë që duhet për shtetin, në parandalimin e planit për shkëmbim të territoreve!? Mendoj që jo, ne nuk i kemi bërë as përpjekjet minimale për parandalim, e lërë më të dëshmojmë vendosmërinë tonë përballë bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj edhe aq lehtë bëhet pazar me territoret e vendit tonë”, përfundoi Zeqa, duke kërkuar qasje më të unifikuar të politikës vendore ndaj kësaj teme.

(Kosova Sot Online)