Munter: Kosova dhe Serbia të bëjnë marrëveshje për hir të të rinjve që po ikin nëpër botë

  • 20 shtator 2019 - 16:59
Munter: Kosova dhe Serbia të bëjnë marrëveshje për hir të të rinjve që po ikin nëpër botë

Ish-ambasadori i SHBA’së në Beograd, Camron Munter, ka qëndruar për një vizitë në Serbi, ku është takuar me krerët e shtetit serb, e me të cilët ka diskutuar në mënyrë specifike për çështjen e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Munter thotë se të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje, pasi një gjë e tillë është e rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe për të rinjtë të cilët dita ditës po ikin nga vendet e tyre.

“Nëse unë do të isha udhëheqës i Serbisë, apo edhe i Kosovës, do të thosha se duhet të gjejmë një zgjidhje, sa më shpejtë që të jetë e mundur, për shkak se është e rëndësishme për vendin, dhe për rininë, të cilët çdo ditë e më shumë po ikin nëpër botë”, ka thënë Munter për tanjug.

Sipas tij është e rëndësishme që palët të fokusohen në gjetjen e një zgjidhje, dhe të qëndrojnë sa më largë ideve që kush do të humbasë apo kush do të fitojë.

“Në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje, ne nuk po bëjmë tregti lidhur me atë se kush do të jetë fituesi e kush humbësi, ne vetëm jemi duke menduar rreth asaj se çfarë mund të bëjmë”, ka shtuar Munter ndër të tjera.

Ai thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte ajo për të cilën do të kontribuojnë të gjithë.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte ajo në të cilën përfshihen të gjithë”, duke shtuar se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëse ka besim tek njerëzit që kërkojnë zgjidhje.

Munter thotë se kjo është edhe arsyeja se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa sjellin në Ballkan njerëz me përvojë për të ndërtuar besim.

Ish-ambasadori amerikan Munter dje ka folur gjithashtu edhe për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialogun në mes të Kosovës deh Serbisë.

Sipas tij, ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko është një njeri shumë i aftë i cili mund të ndihmojë në procesin e dialogut.

Megjithatë njëjtë sikurse Munter për përfshirjen e Rusisë në dialog nuk mendon, ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer.

Në një intervistë për media, Serwer, ka thënë se s’ka vend për Rusinë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi siç potenconte eksperti për Ballkanin Perëndimor, Rusisë nuk i konvenvon zgjidhja e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)