Për “hotelin më të keq në botë”, nuk po interesohet askush. Çfarë po ndodhë me Grandin?

  • 20 September 2019 - 18:30
Për “hotelin më të keq në botë”, nuk po interesohet askush. Çfarë po ndodhë me Grandin?

Grand Hotel Prishtina nuk po iu lë përshtypje investitorëve të huaj. Për hotelin që dikur ishte më me name në vend, askush më nuk po shfaq interesim. Aktualisht, ky objekt shërben vetëm për reklamim. Ndërmarrja gjendet nën administrimin e Agjencisë së Privatizimi, derisa që nga 2015’ta është vendosur në proces të likuidimit. 

Objekti që dikur ishte “pasqyra” e Kosovës tash po shërben vetëm për të reklamuar. Dhomat që dikur ishin plot, tani kanë mbetur pothuajse bosh.

Në një gjendje të tillë duket se do të mbetet për kohë të gjatë. Gjithë kjo për faktin se askujt nuk po i mbushet mendja që t’i derdh paratë në këtë objekt, që gazeta gazeta amerikane “The New York Times” kishte shkruar se ndoshta është edhe hoteli më i keq në botë.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit deklarojnë se s’ka interesim për të investuar në këtë hotel.

Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi i ka thënë medias se asnjë kompani e huaj nuk është interesuar për të investuar në Grand.

“Në AKP nuk ka pasur ndonjë interesim nga kompani të huaja për të investuar në Hotelin Grand”, ka thënë Kaloshi.

Deklaron se ndërmarrja që nga 2 shkurti i 2015’ës është ne process të likuidimit.

“Ndërmarrja Hoteli Grand është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërsa që nga data 2 shkurt 2015 me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së është vendosur në proces të likuidimit”, thuhet në përgjigjet e Kaloshit drejtuar medias.

Për gjendjen në të cilën ndodhet ky hotel ka folur edhe ish drejtori i Grandit, Zekë Çeku, i cili menaxhoi për 11 vite me këtë hotel. Sipas tij, investitorët po i tremb edhe privatizimi i dështuar i kësaj ndërmarrje.

Ai ka folur edhe për panot reklamuese që mbulojnë muret e gjithë këtij objekti.

Çeku i ka thënë medias se në asnjë vend tjetër të botës, hotelet nuk përdoren për reklamim.

Deklaron se vendosja e panove reklamuese në një objekt që është në mbrojtje të shtetit, është e pahijshme dhe abuzim me aspektin e rëndësisë së Grandit.

“Kërkund në botë, shkoni ku të doni e në të gjitha vendet e botës, hotelet nuk përdoren për reklamim të subjekteve të treta, për arsye se vizura , pra pamja e jashtme e një objekti, sidomos e Grandit që është një objekt në mbrojtje të shtetit, është një gjë e pahijshme dhe abuzim në aspektin e rëndësisë së Grandit që e ka pas në të kaluarën”, thotë Çeku.

Ndryshe, për të investuar në “Hotel Grand” kishte bërë përpjekje edhe Kryetari i Aleancës Kosova e Re njëherit Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Në vitin 2007, me një marrëveshje të fshehtë, kompania e Pacollit përmes Zylqif Berishës, që më vonë do të njihej për një kohë si pronarë i këtij hoteli pagoi afro 6 milionë euro në garën për të blerë objektin ikonë të kryeqyetit të Kosovës.

“Paratë për blerjen e hotelit Grand janë paguar nga llogaria e Mabco Construction në Zvicërr dhe nëpërmjet bankës më të madhe zvicerrane UBS janë paguar për blerjen e 40 përqind të aksioneve të këtij objekti. Gjithashtu është dorëzuar projekti I detajizuar për investimet dhe për këto MABCO ofroi garancionet bankare për 39 milion euro investime, investim ky I cili përveqse do ti jepte shkëlqim Prishtinës, do të punësonte gjithashtu punësimin e qindra qytetarëve”, kishte sqaruar gati një dekadë më vonë Pacolli.

Punët, sipas tij është dashur të fillojnë me përpikmëri sipas kontratës me Spin OFF gjatë vitit 2007.

“Por, grupet mafioze në Kosovë të mbështetur edhe nga politika, nëpërmjet mekanizmave që I kishin instaluar vet, bllokuan qdo gjë, nga ana tjetër, duke inkasuar paratë që ishin paguar nga Mabetexi nëpërmjet rrugëve legale bankare”, kishte thënë Pacolli.

Në dy vendime të gjykatave me të larta në Kosovë as ai e as kompania e tij, nuk njihen si blerës.

Kështu, në korrik të viti 2017, kompania e Pacollit “Mabco” me seli në Zvicër ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e kthej në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit.

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por edhe bazuar në vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe atij të Gjykatës Kushtetuese, padisë së Pacollit në Arbitrazh i mungon baza ligjore.

Kjo sepse gjykatat e të gjitha niveleve në Kosovë nuk e njohin atë si blerës të Grandit.

Në fakt, kompania e Pacollit “Mabco” dhe kompania “Eurokoha” kishin ushtruar padi në vitin 2014 për të qenë palë në rastin e Hotelit Grand, pas pretendimeve të tyre se kanë bërë investime aty.

Por, Gjykata Kushtetuese,  si blerës legjitim e njeh vetëm kompaninë Union Comerce të Zylqif Berishës, por jo edhe kompaninë e Pacollit.

Gjykata kushtetuese në këtë rast mori dy vendime. E shpalli të papranueshme pretendimet e Union Comerce si dhe e  vlerësoi si të papranueshme edhe kërkesën e parashtruesit Mabco Constructions dhe Eurokoha-Reisen, të cilët kishin kërkuar për të qenë ndërhyrës në anën e paditësit.

(Kosova Sot Online)