Pentagoni përgatit planin e përgjigjeve të mundshme ndaj Iranit

  • 21 September 2019 - 08:30
Pentagoni përgatit planin e përgjigjeve të mundshme ndaj Iranit

Zyrtarët e Pantagonit do t’ia paraqesin presidentit amerikan, Donald Trump, një gamë të gjerë opsionesh ushtarake se si t’i përgjigjet SHBA-ja sulmit ndaj industrisë së naftës në Arabinë Saudite.

Uashingtoni e ka fajësuar Iranin për sulmin.

Ushtria më 20 shtator do ta paraqesë para presidentit Trump një listë të synimeve të mundshme të sulmeve ajrore brenda Iranit, mes përgjigjeve të tjera të mundshme, i thanë agjencisë AP disa zyrtarë amerikanë të afërt me këtë çështje.

Zyrtarët thanë se Pentagoni do të paralajmërojë gjithashtu Trumpin, se veprimi ushtarak kundër Iranit, mund të përshkallëzohet në një konflikt të plotë të armatosur.

Vendimi për hakmarrje ndaj Iranit, mund të varet nga lloji i provave që amerikanët dhe hetuesit sauditë janë në gjendje të ofrojnë, për të mbështetur pretendimet se sulmet u nisën nga Irani.

Disa zyrtarë të administratës, përfshirë sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, kanë pohuar se Teherani ishte pas sulmit. Pas takimit me aleatët në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Pompeo tha më 19 shtator se ekzistonte një “konsensus i jashtëzakonshëm në rajon” që Irani kreu sulmin pavarësisht mohimeve të tij.

Irani ka mohuar përfshirjen dhe paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se çdo sulm do të çonte në një “luftë gjithëpërfshirëse” me Teheranin.

(Kosova Sot Online)