Miliona njerëz protestuan të premten kundër ndryshimeve klimatike

  • 21 September 2019 - 08:36
Miliona njerëz protestuan të premten kundër ndryshimeve klimatike

Disa miliona njerëz kanë protestuar të premten në mbarë botën për të kërkuar më shumë masa kundër ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale. Këto ishin protestat më të mëdha në mbrojtje të klimës që janë mbajtur ndonjëherë në botë.

Pas nisjes së protestave të nxënësve vitin e kaluar, të nxitura nga protestuesja e re suedeze, Greta Thunberg, njerëzit të premten protestuan në pjesë të ndryshme të planetit tonë, duke nisur nga ishujt e Paqësorit e duke vazhduar në Australi, Azi Juglindore, Afrikë, Evropë dhe në Amerikën Veriore e Amerikën Jugore.

Për herë të parë që nga fillimi i protestave të nxënësve vitin e kaluar, të rinjtë kërkuan nga të rriturit që të bashkohen në tubimet masive dhe një gjë e tillë ndodhi. Sindikatat tregtare, të cilat përfaqësojnë miliona njerëz në mbarë botën, u mobilizuan në përkrahje të fëmijëve. Shumë punëtorë dolën nga vendet e punës. Në protesta morën pjesë edhe punëtorët e kompanive gjigante të teknologjisë, përfshirë kompanitë “Amazon”, “Google” dhe “Facebook”.

Raportohet se protesta u mbajtën në 185 shtete, ndërsa protestuesit patën kërkesa të ndryshme, varësisht nga problemet e vendeve të caktuara. Për shembull, në Ishujt Solomon u kërkua luftimi i rritjes së nivelit të detit, në Afrikën Jugore u protestua kundër mbeturinave helmuese, ndërsa në Indi kundër ndotjes së ajrit.

Sidoqoftë, mesazhi i përbashkët i protestuesve në mbarë botën ishte i njëjtë. Ata kërkuan marrjen e masave urgjente për zvogëlimin e sasisë së karbonit në atmosferë dhe stabilizim të klimës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)