"Hapim vende të reja pune", Pacolli përpiqet sërish që të mashtrojë qytetarët e Lipjanit

  • 21 September 2019 - 13:38

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, po provon edhe një mënyrë tjetër për t’i mashtruar qytetarët e Komunës së Lipjanit në prag në zgjedhjeve nacionale, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai dje ka qëndruar atje ku para qytetarëve ka shpalosur një projekt që sipas tij, do të mundësojë zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Nga Lipjani, ftesa ime për të gjithë është që të kthehemi në aktivistë dhe t’i shpalosim në çdo cep të vendit vlerat dhe programin tonë. Poashtu, ftova qytetarët e Lipjanit të mbështesin kandidatët tanë për deputetë të cilët do t’i mbrojnë denjësisht interesat e qytetarëve të vendit. Faleminderit Lipjan”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Kjo nuk hera e parë që ai në kohë zgjedhjesh, tenton të fitojë disa vota duke premtuar zhvillim ekonomik e vende pune.

Ngjashëm kishte vepruar edhe ditë më parë ku kompania e tij “Oriental Mushrooms”, kishte hapur konkurs për 105 vende të lira pune.

Ndonëse kjo kompani që gjendet me lokacion në Banullë të Lipjanit, nuk ka leje ndërtimore të disa objekteve shtesë nga Komuna e Lipjanit mirëpo në  konkursin e shpallur në këtë muaj, thuhet se është në prag të fillimit të prodhimit të kërpurdhave “Eryngii”.

Hapja e këtij konkursi është kritikuar nga Komuna e Lipjanit pasi që sipas tyre thuhet se kjo është bërë me qëllim në këtë kohë zgjedhjesh.

(Kosova Sot Online)