Zbardhen arsyet: Shifra alarmante, ja pse po ikin kosovarët nga vendi

  • 21 September 2019 - 17:56
Zbardhen arsyet: Shifra alarmante, ja pse po ikin kosovarët nga vendi

“Pas luftës së UÇK-së, gjegjësisht pas 11 viteve të pavarësisë së Kosovës, në të gjitha qeveritë ishin udhëheqës mu edhe ata komandantët me emër, por që megjithatë keqqeverisën, e shkelën gjakun edhe gjakun e dëshmorëve, krijuan këso gjendje të pa shpresë në këtë shtet të ri por të pa zhvilluar, gjendje të mjerë sa që edhe fëmijët disa ish komandantëve dhe dëshmorëve që ranë për lirinë e këtij shteti po vendosin të ikin nga Kosova”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Statistikat zyrtare që publikohen herë pas herë nga institucionet përkatëse që përcjellin lëvizjet e popullsisë, thonë se kohët e fundit kemi largim masiv po të heshtur të qytetarëve drejtë vendeve perëndimore e kudo tjetër në rajon, aty ku gjejnë një vend pune.

Image
Ragip Guraziu

Këto ikje po përcillen me shqetësim nga analistët politikë.

Sipas tyre, janë shqetësuese dhe alarmante shifrat më të reja të publikuara nga MPB-ja, të cilat zbulojnë se janë 3519 qytetarë të cilët në tetë muajt e fundit kanë hequr dorë edhe nga shtetësia e Kosovës.

Analisti politik, Ragip Guraziu thotë se ky fenomen na jep alarmin edhe për fillimin e zhbërjes së shtetit nga politika e lidhur me krimin që po e kontrollon atë.

“Kur humb dashuria e qytetarëve për shtetin e tyre, të krijuar me gjak e sakrifica, ky është sinjal që paralajmëron edhe rrezikun e zhbërjes së shpejtë të atij shteti. Qytetarët e shtetit më të ri në botë, Kosovës, po e humbin besimin dhe dashurinë për shtetin e tyre për shkak të politikës së inkriminuar që kanë kapur shtetin dhe po e shkatërron atë”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, derisa shumica e qytetarëve të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës kanë filluar në numër të madh kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, pushtetarët janë mobilizuar dhe po kërkojnë përsëri votën për ta përsëritur kapjen e shtetit, ashtu sikur e kishin mbajtur edhe në qeverisjet e deritanishme, me ndërrime të herë pas hershme, pozitë, opozitë dhe anasjelltas.

“Kësaj kaste politike nuk po i intereson fare shteti dhe qytetari, por vetëm pushteti për ta kapur dhe buxheti që mblidhet nga djersa e qytetarit që po e zhvatin, po e grabisin për veti. Ky është kulmi i pa përgjegjësisë. Si nuk po mendojnë, apo a kanë menduar ndonjëherë udhëheqësit tanë shtetërorë, sidomos qeveria, se sa është tragjike është kur qytetari detyrohet të afrohet pranë sportelit të institucioneve të veta shtetërore dhe të kërkon kompletimin e dokumentacionit për ta lënë, për të ikur nga shtetësia që e ka mbajtur deri më tani, për ta përqafuar cilën do shtetësi tjetër që i ofron diçka më të mire për të jetuar si bashkësi familjare, madje edhe për çmimin e asimilimit të brezave që vijnë në një kohë të afërt”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

E dhimbshme është kjo rritje e zhgënjimit të qytetarëve dhe humbjes së besimit në shtet, sipas Guraziut, kur ndalemi dhe kujtojmë se për shumicën e viteve që po lëmë pas, shtetin e ri të Kosovës e kanë drejtuar kryesisht kuadrot e luftës, dhe të njëjtit dështuan të jen shtet ndërtues, ashtu siç e kishin premtuar ata, dhe ju kishin besuar qytetarët.

“Pas luftës së UÇK-së,gjegjësisht pas 11 viteve të pavarësisë së Kosovës, në të gjitha qeveritë ishin udhëheqës mu edhe ata komandantët me emër, por që me gjithat keq qeverisën, e shkelën gjakun edhe gjakun e dëshmorëve, krijuan këso gjendje të pa shpresë në këtë shtet të ri por të pa zhvilluar, gjendje të mjerë sa që edhe fëmijët disa ish komandantëve dhe dëshmorëve që ranë për lirinë e këtij shteti po vendosin të ikin nga Kosova. Po ikin sepse dashuri për atdheun e tyre ka humbur që kaherë për shkak të vrasjes së perspektivës kolektive për të gjithë qytetarët nga kjo klasë e kriminalizuar politike që këtë rini tonën të shëndosh e mashtroi dhe e la me dy këmbët në baltë”, shtoi analisti Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, derisa këta pushtetarë kanë shkelur edhe mbi gjakun dhe betimin e dëshmorëve, atëherë qytetarët nuk kanë se çka të presin prej tyre, vetëm të marrin botën në sy dhe të ikin në kërkim të shpresë e jetës më të mirë.

“Fjala dëshmor nuk është kaq e thjeshtë sa ne e mendojmë dhe si ne e shqiptojmë. Dëshmorë do të thotë dëshmi, pra, ata dëshmuan se si duhet atdheu. Dëshmuan me diçka shumë të shtrenjtë, me jetën e tyre. Ata s’kanë me se çka të japin më shumë, kurse ne ende kemi dhënë shumë pak për ta quar në vend amanetin e tyre për ndërtimin e shtetit”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)