‘Eksodi i heshtur’, ndizet alarmi i kuq për Kosovën

  • 22 September 2019 - 07:39
‘Eksodi i heshtur’, ndizet alarmi i kuq për Kosovën

“Shqiptarët nga diaspore vijnë për çdo vit në Kosovë dhe ata e dinë shumë mirë gjendjen këtu. Ata janë të vetëdijshëm që Kosova kurrë nuk do të bëhet vend i jetueshëm dhe i drejtë për qytetaret e saj”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Pritja e qytetarëve të Kosovës për plotë dy dekada në realitetin e ri të krijuar pas luftës, me shpresën se shteti i ri do të ofrojë jetë më të mirë dhe perspektivë zhvillimore, siç premtohej nga politika, doli të jetë një mashtrim i madh, pas të cilit po rifillon përsëri zbrazja e shtetit nëpërmes një eksodi të heshtur.

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi thotë se qytetarët ishin shumë entuziast në ditët dhe vitet e para pas çlirimit, por shumë shpejtë u thyen shpresat e tyre nga kapja kriminale e shtetit të ri dhe përsëri rikthyen sytë për të shikuar e gjetur shpresën jashtë atdheut të tyre.

Për më keq, gjetja e një pune stabile e të qëndrueshme jashtë vendit, shoqërohet edhe me marrjen e vendimit që të hiqet dorë krejtësisht nga shtetësia e Kosovës, pasi nuk shohin shpresë që një ditë mundë t’i kthehen vendit të tyre dhe ta ndërtojnë të ardhmen e brezave të rinj.

“Qytetarët e kanë parë që për faj të kësaj klase politike, në Kosovë kurrë nuk do të bëhet mirë. E kanë përjetuar për këto dy dekada tmerrin dhe gjenocidin nga këta horra. Janë përballur me çdo poshtërsi. Kanë vuajtur edhe për gjërat më elementare që shteti do të duhej t'u ofronte. Edhe nëpër spitalet shtetërore kanë parë se si të dashurit e tyre kanë vdekur për shkak të mos mjekimit dhe neglizhencës së mjekëve”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, marrja e vendimit të qytetarëve kosovar që fillimisht të ikin dhe të gjejnë vend pune jashtë shtetit, e pastaj të heqin dorë edhe nga shtetësia e Kosovës, nuk lidhet vetëm me interesin e të ardhurave më të mira personale, por është një problem më i madh zhgënjimi në shtet dhe politikën e inkriminuar që është bërë ndjekës i qytetarëve të ndershëm.

“Pra nuk është çështja vetëm e një page që shumica e njerëzve e kanë ndarë mendjen për të ikur nga këtu, por mbi të gjitha është jeta e përgjithshme, e shëndetësia është arsyeja kryesore. Shqiptarët nga diaspore vijnë për çdo vit në Kosovë dhe ata e dinë shumë mirë gjendjen këtu. Ata janë të vetëdijshëm që Kosova kurrë nuk do të bëhet vend i jetueshëm dhe i drejtë për qytetaret e saj. Unë gjithmonë kam thënë dhe e përsëris që, në këtë vend në një të ardhme jo shumë të largët, do të mbesin vetëm pleq e plaka”, përfundoi analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)