Rusia nuk ia fal as 30 metra rrugë Estonisë, shikoni si ruhet kjo copë toke

  • 22 September 2019 - 11:14
Rusia nuk ia fal as 30 metra rrugë Estonisë, shikoni si ruhet kjo copë toke

Në pjesën lindore të Estonisë, keni mundësi të hyni në territorin e Rusisë për një kohë të shkurtër pa dokumente. Sidoqoftë, personat që e bëjnë këtë duhet t’iu nënshtrohen disa kushteve të pazakonshme.

Përderisa gazetari qëndron së bashku me një roje estoneze pranë shenjës së kufirit me Rusinë, zyrtari kërkon që të ndërpritet bërja e fotografive dhe të largohen nga ajo zonë. Rreth 100 metra larg tyre qëndron një polic kufitar rus dhe po i shikon me vëmendje ata.

Ata ndodhen pranë një pjese të vogël të territorit rus, i cili kalon disa metra përtej një rruge që lidh dy fshatra estoneze. Pra, një pjesë prej 30 metrash e kësaj rruge kalon nëpër kufirin rus, për të vazhduar menjëherë në territorin e Estonisë. Kjo anomali e ka origjinën nga aneksimi i Estonisë nga ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pasi Stalini e kishte marrë nën kontroll shtetin e vogël të Baltikut nga nazistët më 1944, kufiri mes republikave ruse dhe estoneze të Bashkimit Sovjetik ishte ndryshuar në dëm të estonezëve. Në atë kohë, raportohet se një rus kishte vendosur që tokën e tij ta linte në territorin rus. Vendimi i tij atëherë kishte pak pasoja, sepse njerëzit mund të udhëtonin mes republikave të Bashkimit Sovjetik pa kontroll kufitar mes tyre.

Sidoqoftë, në vitin 1991, Estonia e fitoi pavarësinë, por një rrugë që i lidhte dy fshatra të saj kalonte nëpër territorin rus në një gjatësi prej 30 metrash. Rusia u pajtua që t’i lejojë estonezët të kalojnë nëpër këtë pjesë të rrugës, por vetëm me disa kushte të rrepta.

Personat që kalojnë nëpër këtë pjesë duhet të qëndrojnë brenda veturës dhe nuk kanë të drejtë të ndalen. Për më tepër, Rusia e rezervon të drejtën për ta ndaluar secilin person që kalon nëpër këtë pjesë malore, e cila ruhet me forca të shumta kufitare.

Raul Kudre, kryetar i rajonit Setomaa në Estoni, i cili vetë ishte arrestuar nga rojet ruse para dhjetë vjetësh përderisa po vraponte, thotë se situata tashmë është më e mirë dhe se banorët lokalë janë përshtatur me rrethanat në këtë pjesë.

Kjo copë toke po bëhet tërheqëse edhe për turistët. Ata nganjëherë madje i kanë shkelur rregullat e vendosura nga forcat kufitare. Në vitin 2018, një turist gjerman ishte dënuar me një gjobë prej 60 eurosh pasi e kishte ndalur veturën në pjesën e rrugës, e cila shtrihet për 30 metra nëpër territorin rus, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)