Goditje për partitë politike: Nuk kanë asnjë program, fushatë me duar bosh...

  • 22 September 2019 - 14:58
Goditje për partitë politike: Nuk kanë asnjë program, fushatë me duar bosh...

 “Kjo mënyrë vrapimi pas votës tregon se si partitë politike kosovare janë shpenzuara në pushtet për 20 vitet e kaluara dhe nuk kanë më se çka i ofrojnë qytetarit andaj bëjnë një fushatë tërësisht të ç’orientuar zgjedhore e cila nuk është më atraktive por as e besueshme për qytetarin”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online“.

Edhe pse partitë politike nuk e pritën afatin ligjor për fillimin e fushatës zgjedhore, duke nxituar ashtu në kundërshtim me rregullat dhe ligjin që të vrapojnë për të kërkuar votën e qytetarëve që nga dita e parë e shpalljes së dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, përveç zhurmës dhe përplasjeve që po bëjnë në debate, madje edhe në takimet me qytetarë, asnjëra nga to nuk është e gatshme të ofrojë për informim të qytetarit një program të detajuar, sipas të cilit synohet qeverisja e vendit në mandatin e radhës.

Image
Ragip Guraziu

Sipas analistëve politikë, kjo është një dobësi që flet shumë për mungesën e kuadrove profesionale e me vizion për shtetin në shumicën e partive politike.

Analisti politik, Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot Online” se ai nuk mundë të veçoj asnjë parti politike, të cilës kishte për t’i besuar në premtimet që bëjnë sepse ato nuk kanë program, nuk kanë dokument të shkruar që do të ju shërbente si lloj kontrate me votuesin të cilit ja kërkojnë votën.

“Ky është kulmi i degjenerimit të këtyre parive politike, kulmi i përpjekjeve për mashtrim. Jemi të gjithë dëshmitar se si përplasen akuzohen mes vete, se si po bëjnë zhurmë në emër të fushatës dhe kinse prezantimit programor, por duke mos qenë të gatshme ti prezantojnë qytetarit asnjë dokument e platformë qeverisëse, të shkruar, të saktësuar për secilën fushë veç e veç, siç bëjnë në praktikë partitë politike pretendentë për të qeverisur me vendi, në të gjitha vendet demokratike. Kjo mënyrë vrapimi pas votës tregon se si partitë politike kosovare janë shpenzuara në pushtet për 20 vitet e kaluara dhe nuk kanë më se çka i ofrojnë qytetarit andaj bëjnë një fushatë tërësisht të ç’orientuar zgjedhore e cila nuk është më atraktive por as e besueshme për qytetarin, e që mbahet e ndezur vetëm nga militantët dhe klientelat e ngushta përfituese, duke lëvizur në grupe nga qyteti në qytet”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online“.

Guraziu thotë se akoma më të neveritshme bëhen paraqitjet publike të disa njerëzve që bëjnë fushatë për partitë e tyre, ngase janë kryesisht po ata njerëz të njëjtë që i kemi parë e dëgjuar edhe në zgjedhje të kaluara, me disa përjashtime mjaft të vogla, kryesisht te subjektet në opozitë.

“Duket se disa individë i kanë privatizuar, i kanë bërë pronë të veten pozitat nëpër parti politike dhe të njëjtit dalin e flasin, sa në atë sa në këtë medium, edhe në takime me qytetar, me përjashtim të rasteve kur flet kandidati për kryeministër, që e ka një përparësi, rastet tjera sa vijnë e bëhen dita ditës më banale e më neveritëse. Këto skenar janë akoma më shumë zhgënjyese dhe nuk ngjallin aspak interesim te votuesit e zgjedhjeve të 6 Tetorit”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)