Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur, godet Ramiz Kelmendin dhe Mimoza Kusarin

  • 22 September 2019 - 18:22
Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur, godet Ramiz Kelmendin dhe Mimoza Kusarin

“Kjo shëtitje e tyre tregon se ata nuk kanë asnjë përcaktim. Të tillët duken njerëz por në realitet janë krejtësisht të zhveshur nga karakteri njerëzor dhe morali”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, po tregojnë më së miri se sa thellë është i lidhur interesi i disa individëve me politikën, për ruajtjen dhe fuqizimin e biznesit apo të interesave të ngjashme personale, duke u thirrur kinse në parime programore e politike, por që në karrierën e tyre të analizuar del se të tillët nuk kanë zënë vend dhe nuk janë stabilizuar në asnjë platformë dhe projekt të ndonjë partie politike për tu integruar dhe kontribuar aty, por kanë shikuar vetëm realizimin e interesave të tyre afatshkurtra.

Sipas analistëve politikë, më këtë lloj trafikimi hetohen të prijnë në politikën kosovare Ramiz Kelmendi që për të 4-tën herë po ndërron partinë e tij, dhe shembullin e tij po e ndjek edhe Mimoza Kusari, po ashtu e katapultuar në disa parti në disa palë zgjedhje.

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi me përvojë i skenës politike kosovare, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tani edhe kandidat për deputet në listën e AAK-së, tha për “Kosova Sot Online” se krejt kjo shëtitje po bëhet për të realizuar disa individ interesat personale, dhe jo për interesin e përgjigjëm publik, të qytetarit, apo për çështje programore. 

“Politika, pushteti dhe partitë janë bërë vende ku po i realizojnë njerëzit e ndryshëm interesat e veta. Për pozita, para dhe interesa tjera, sepse nuk kanë moral dhe as etikë njerëzore, ndërsa edhe parime politike nuk ka fare. Për këtë arsye janë shumë dhe tepër të shpeshta këto lëvizjet nga një parti në tjetrën. Bazë e kësaj nuk është punë dhe angazhimi për të zgjidhur problemet që i ka vendi, por për të rehatuar veten, sepse problem e vete dhe qëllim është për të përfituar dhe marrë para. Gjithmonë kur ndodhin lëvizjet e tilla aty nuk mundë të flitet për norma, për programe e as për parime. Njerëzit e tillë nuk kanë fare bazë politiko-juridike për punë dhe angazhim politik sepse atyre nuk iu intereson ideologjia, sikundër nuk ju intereson as shteti kudruall interesave të tyre personale”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesor Kelmendit, shëtitësit e tillë, si Ramiz Kelemdni, Mimoza Kusari e shumë të tjerë që po vrapojnë si këta, nuk e meritojnë votën e qytetarëve të Kosovës, pasi të tillët gjithmonë e kanë shpërfillur atë dhe këtë shpërfillje e kanë dëshmuar duke përsëritur disa herë. 

“Pra, kush është në gjendje me na tregua se çfarë pikëpamje politiko-juridike ka Ramiz Kelmendi, sikurse edhe Mimoza Kusari, apo Ramizat e Kusarët tjerë që kanë vrapuar e janë trafikuar gjithandej duke shëtitur në tre katër parti politike. Kjo shëtitje e tyre tregon se ata nuk kanë asnjë përcaktim. Të tillët duken njerëz por në realitet janë krejtësisht të zhveshur nga karakteri njerëzor dhe morali. A nuk i vjen për të vjell një votuesi serioz ta zëmë edhe kur e shikon një figurë tjetër manipulative, apo ndonjë tjetër, kur është tërësisht i zhveshur dhe pa parime. Por, politika në vendet e tilla, ku nuk ka konkurrencë të shëndoshë dhe kualitative sepse aty vazhdon vetëm matrapazllëku në politikë. Fatkeqësisht në realitetin e Kosovës kjo mënyrë e trafikimit në politikë do të zgjatë shumë”, përfundoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)