Vjen thirrja e fuqishme për kosovarët: Mos u mashtroni përsëri...

  • 23 September 2019 - 07:49
Vjen thirrja e fuqishme për kosovarët: Mos u mashtroni përsëri...

“Vota e interesit na ka sjell në këtë gjendje te mjerueshme. Populli është me fajtor për këtë gjendje se politikanët, sepse e shet vetveten dhe e shkatërron të ardhmen e të gjithëve”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Alarmi që ditët e fundit po ndizet nga subjektet politike opozitare për fillimin e një fushate të pa kontrolluar të punësimeve të kundërligjshme nga partitë politike që përbëjnë qeverinë në ikje, ka filluar të bëhet temë serioze edhe tek analistët politikë.

Image
Faik Krasniqi

Duke e komentuar një gjendje të tillë kaosi, të cilën po e shfrytëzojnë maksimalisht partitë politike në pushtet, analisti politik, Faik Krasniqi porositë qytetarët që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve të fundit, pasi gëzimi dhe euforia me vetëkënaqësi, mundë të jenë tepër afatshkurtra.

Krasniqi thotë se kështu ka ndodhur edhe me qeveritë e mandateve të kaluara.

“Nuk është diçka e re kur partitë bëjnë punësime në prag të zgjedhjeve, me qëllim rritjen e votave. Në Kosovë partitë që deri më tash kanë shijuar pushtetin kanë votë interesi, qoftë përmes punësimeve dhe qoftë përmes ndonjë favori, grante dhe subvencione për bizneset e tyre dhe kjo nuk është diçka e re”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Madje, sipas tij po të mos shfrytëzoheshin situatat e tilla për të mbledhur votën, shumica e partive politike të korruptuara në pushtet do të dështonin shpejtë.

“Nëse këto parti nuk do të vepronin kështu, kurrë votë s'do të kishin nga elektorati. "Qeni leh aty ku ha", prandaj këta edhe janë të detyruar ta votojnë partinë që i ka punësuar ose u ka kryer ndonjë favor, në të kundërtën nuk kanë vota”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, kjo votë e interesit klientelistë të korruptuar, ka bërë që vendi të shkatërrohet nga zhvatja kriminale dhe të mos zhvillohet.

“Prandaj është koha që tregtimi i tillë i votës për një vend pune të mos përsëritet sepse kriza dhe varfëria vetëm sa do të thellohen, nëse të njëjtit vijnë në pushtet. Vota e interesit na ka sjell në këtë gjendje te mjerueshme. Populli është me fajtor për këtë gjendje se politikanët, sepse e shet vetveten dhe e shkatërron të ardhmen e të gjithëve”, tha në fund analisti, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)