Shpërthejnë akuzat e rënda: Ja dëshmia e pazareve të nëntokës kriminale

  • 23 September 2019 - 08:02
Shpërthejnë akuzat e rënda: Ja dëshmia e pazareve të nëntokës kriminale

“Si rezultat i mbrojtjes në heshtje të gjyqtarëve të korruptuar nga KGJK-ja, gjyqtarët kosovarë po vazhdojnë të përfitojnë miliona euro nga shitja e rasteve gjyqësore, duke u vënë në shërbim 100% të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Lajmi për përfshirjen në një skandal të madh të korrupsionit të Sali Berishës, gjykatës në Gjykatën Themelore të Pejës, ka tronditur thellë edhe ata pak qytetar që kishin një dozë besimi sado të pakët në drejtësi.

Image
Florim Zeqa

Sikur që dihet, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjykatësi Sali Berisha përveç dyshimit për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, dyshohet se ka kryer edhe veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje, i njëjti dyshohet edhe për përfshirje në afera tjera korruptive dhe kriminale.

Sipas raportit të policisë, arsyeja e arrestimit gjykatësit Sali Berisha ishte "dyshimi i përfitimit material në shumën prej 4 mijë eurove nga viktima apo nëntoka kriminale, në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e gjyqtarit..

Analisti politik, Florim Zeqa krejt këtë fenomen të shtresimit të mentalitetit korruptim në drejtësinë e Kosovës, në këtë rast nëpër gjykata, ku shitet e blihet drejtësi me mijëra euro, përgjegjëse e bënë politikën.

Sipas analistit Zeqa, tanimë po shihet ashiqare që në Kosovë ndodhë vjedhja e lëndëve, ato shiten nëpër gjykata e prokurori dhe fare pak kemi zbulime të keqpërdorimit kaq të madh të detyrës zyrtare, pasi prapa krejt këtyre aferave që lejohen në heshtje qëndron politika me telekomandën e vetë që drejton sistemin e drejtësisë së korruptuar.

“Vjedhja dhe keqpërdorimi i detyrës, nga ana e gjykatësve të Kosovës, nuk ka të ndalur, madje duke shitur lëndët e tyre gjyqësore për interesa të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale. Rasti më i freskët është ai i gjykatësit nga Peja, Sali Berisha, gjykatës i Gjykatës Themelore në Pejë, i arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, që mbase ky nuk është rasti i vetëm”, tha analisti, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti Zeqa thotë se raste të tilla mundë të jenë të panumërta, ndonëse edhe sikur të ishte ky rasti i vetëm, do duhej të ishte shqetësim për KGJK-në dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

“Mos reagimi ndaj këtij rasti e tregon fytyrën e vërtetë të drejtësisë së korruptuar në vendin tonë. Nuk e di edhe çka duhet të ndodhë tjetër që të këndellen gjyqtarët e pastër dhe me integritet për të dëshmuar fytyrën e tyre kundrejt gjykatësve të korruptuar dhe shantazhuar, për të ngritur fuqishëm zërin për largimin një herë e përgjithmonë të gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu ka akuzuar KGJK-në që asnjëherë nuk i bënë publike të dhënat për masat disiplinore që merr ndaj individëve që bëjnë shkelje ligji apo keqpërdorin detyrën zyrtare. Sipas tij, po të bëheshin këto raste publike, me siguri që gjyqtarët do të ishin më të kujdesshëm dhe nuk do të përsëriteshin raste të tillë.

“KGJK -ja në vend që të bëjë transparente me emër e mbiemër rastet e masave disiplinore dhe arsyet e tyre, për të tilla shkelje raportohet vetëm me shifra dhe në anonimitet të plotë. Si rezultat i mbrojtjes në heshtje të gjyqtarëve të korruptuar nga KGJK-ja, gjyqtarët kosovarë po vazhdojnë të përfitojnë miliona euro nga shitja e rasteve gjyqësore, duke u vënë në shërbim 100% të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale. Rast i gjykatësit Sali Berisha është dëshmi e pazareve të nëntokës kriminale që i ka futur duart thellë në drejtësinë, gjegjësisht në sistemin prokurorial dhe gjyqësorë të Kosovës”, tha në fund analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)