Irani liron anijen britanike që e kishte sekuestruar para dy muajve

  • 23 September 2019 - 13:39
Irani liron anijen britanike që e kishte sekuestruar para dy muajve

Zyrtarët iranianë kanë thënë se e kanë lënë të lirë anijen britanike “Stena Impero”, e cila ishte sekuestruar nga rojet revolucionare të Iranit në muajin korrik në Gjirin Persik.

“Procesi ligjor ka përfunduar dhe duke u bazuar në këtë, kushtet për lirimin e anijes janë plotësuar dhe anija mund ta fillojë lundrimin”, tha zëdhënësi i qeverisë iraniane, Ali Rabeiei të hënën.

Ky veprim i Iranit vjen një ditë para takimit mes presidentit iranian, Hassan Rouhani, dhe kryeministrit britanik, Boris Johnson, në kuadër të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Anija ishte sekuestruar më 19 korrik përderisa po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit. Zyrtarët iranianë kishin thënë se anija i ka shkelur rregullat detare.

Rojet revolucionare të Iranit ishin lëshuar në këtë anije përmes helikopterit dhe i kishin arrestuar të gjithë 23 anëtarët e ekuipazhit të saj.

Sekuestrimi i kësaj anije nga forcat iraniane ishte vlerësuar si veprim hakmarrës ndaj ndalimit të anijes iraniane në Ngushticën e Gjibraltarit me arsyetimin se po dërgonte naftë në Siri në kundërshtim me sanksionet ndaj regjimit sirian, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)