Ankohen në Serbi, ende po paguajmë kredi që i morri TITO

  • 23 shtator 2019 - 16:47
Ankohen në Serbi, ende po paguajmë kredi që i morri TITO

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 vite, Serbia vazhdon të ankohet se po paguan borxhet të cilat i ka lënë Josip Broz Tito si ish-president i ish-Jugosllavisë.

Kështu shkruan mediumi serb “Blic”, duke treguar se në mëngjesin e sotëm Serbia ka paguar borxhet ndaj kreditorëve botërore, e që kapin shifrën e 69.7 milionë eurove. Këto para thuhet se janë marrë borxh nga ministrat që kanë shërbyer gjatë kohës së Titos.

Paratë për shlyerjen e këtij detyrimi ndaj kreditorëve janë marrë nga thesari kombëtar i Serbisë.

Kjo kredi ishte marrë 40 vjet më parë, dhe për 54.1 milionë euro borxh, Serbia është detyruar që të paguaj 15.6 milionë euro interes ndaj Klubit të Kreditorëve në Paris. 

Kërkesa për shlyerjen e borxhit institucioneve të Serbisë u kishte arritur të dielën, e duke qenë se e diela s’ka qenë ditë pune, vendimi për pagesën e borxhit është marrë sot.

Përveç kësaj Serbia nuk ka paguar obligimet ndaj kreditorëve edhe gjatë periudhës maj 1992- prill 2002. Vetëm këtë vit Serbia duhet të kthej 151 milionë funta klubit të kreditorëve të Londrës, 121 milionë euro klubit të Parisit dhe 65 milionë Bankës Botërore.

Ndërkohë thuhet se edhe Kroacia ka pasur detyrime. 192 milionë dollarë ia ka paguar klubit të Parisit në vitin 2008, ndërkohë në 2009-tën edhe 78 milionë. Gjithashtu edhe Sllovenia thuhet se ka paguar një borxh prej 525 milionëve.

(Kosova Sot Online)