Anton Quni thotë se FARK’u ka pasur komandën e vet

  • 23 September 2019 - 22:22
Anton Quni thotë se FARK’u ka pasur komandën e vet

Anton Quni ka insistuar se megjithëse formacionet e FARK-ut kishin pranuar që në Kosovë të futen nën emblemën e UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë ka pasur dy qendra komanduese.

Quni ka thënë se këto formacione i kanë raportuar ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, e pas vrasjes së tij, Xhavit Bicaj.

“Derisa kanë organizuar dy vija komandimi, dy vija mobilizimi, dy vija zhvillimi operacional, është shumë e natyrshme që kur ka dy organizime ushtarake, aty të ketë probleme. Prapa organizimeve ushtarake qëndrojnë edhe partitë, ideologjitë, institucionet e të tjera. Nëse njëra apo tjetra favorizon njërin apo tjetrin organizim ushtarak, problemet do të shfaqen”, ka thënë Quni, teksa ka shtuar se FARK-u dhe Shtabi i Përgjithshëm me njësitë e veta kanë pasur njësitë vartëse.

“Janë momentet e bashkëpunimit, të marrëveshjeve, por edhe të tensionimit. E mira e krejt kësaj është që njësitë në terren, ato që janë ballafaquar me armikun, ishin në nivel të detyrës e s’kanë rënë pre e politikave të larta”, ka thënë ai në Rubikon.

Quni ka thënë se nuk ka pas konflikt mes formacioneve ushtarake. 

“Dikush është dashur të lëshonte pe. Është mirë edhe që pala që ishte më agresive, s’ishte aq agresive për të eskaluar situatën për të ardhur në konflikt brenda nesh. Kam përjetuar raste, jam takuar edhe me ushtarakë e ushtarë me vijë tjetër komanduese, kemi qëndruar në një hapësirë, por shumë solidarë me njëri-tjetrin. Është shembulli më i mirë kur u formua shtabi operativ 3, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes e Shtabin e Përgjithshëm me personalitetet e dy vijave komanduese, ngritëm një formacion ushtarak ku s’i kishim këto probleme. Fakti që energjinë e fokusuam në drejtim të forcave të armikut, natyrisht që ishte rezultati i mirë”, ka thënë Quni.

Ai ka kujtuar edhe një situatë, siç e ka quajtur të pakëndshëm tensionimi kur Hashim Thaçi në cilësinë e zyrës politike kishte vizituar Tahir Zemajn.

“I kishte thënë se duhesh të hysh nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm. Z. Zemaj i kishte thënë z. Thaçi se unë jam nën komandën e ministrit Krasniqi. Nëse ai më thotë se duhet të hy nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm, atëherë është në rregull. I kanë telefonuar nga zyra e Zemajt, Ahmet Krasniqit dhe është zhvilluar një bisedë fare e pakëndshme”, ka thënë Quni.

Ai ka dhënë edhe shembullin e tij, duke thënë se “këtu flet me kompetencë të plotë dhe se ai ka raportuar te ministri i Mbrojtjes”.

(Kosova Sot Online)