Flet eksperti i drejtësisë: Ja pse duhet të ndodhë Vetting-u në Kosovë

  • 24 September 2019 - 14:12
Flet eksperti i drejtësisë: Ja pse duhet të ndodhë Vetting-u në Kosovë

“Votuesi kosovar me 6 Tetor 2019, duhet dhe do ta ndëshkojë këtë elitë politike dështake, sepse Kosovës i duhet si emergjencë kombëtare:VETTING-u i drejtësisë, dekriminalizimi i politikës dhe integrimi në BE”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Image
Skender Kapiti

Njohësi fushës së sistemit të drejtësisë, Skënder Kapiti duke përcjellë dhe analizuar me vite të tëra mënyrën e funksionimit të drejtësisë kosovare, një sistem i përcjellë vazhdimisht me padrejtësi, me abuzime të skajshme me ligjin, me shitblerje të drejtësisë nga grupet kriminale të instaluara në këtë sistem që kulmuan edhe me rastin e Pejës, thotë se qeveria e re e Kosovës nuk duhet të vonohet me ndërtimin dhe zbatimin e ligjit Vetting-ut, nuk duhet të vonohet me dekriminalizimin e tërësishëm të sistemit.

“Politika e deri më sotme në Kosovë ka dështuar në aspektet themelore shtet ndërtuese si: në ngritjen dhe funksionimin e shtetit me standarde moderne, ka dështuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për pasojë e rrjedhimisht prej këtyre kryesisht nuk ka hapa dhe as shanse që në një gjendje të tillë, me këtë politikë nuk ka shanse të afërta as për integrimin e Kosovës për në BE. Dhe pasojat e tjera që vuan qytetari Kosovar nga dështimi i elitës politike në Kosovë janë papunësia, pasiguria juridike dhe ekonomike, varfëria dhe eksodi”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, qeverisja e re pas 6 tetorit, do të duhej të ishte rezultat i ndëshkimit me votë të këtyre që keq qeverisën deri më sot, me shpresë se përbërja e re do ta vendosë në prioritet të parë luftën kundër krimit e korrupsionit, pastrimin e drejtësisë përmes dekriminalizimit dhe ligjit Vetting.

“Votuesi kosovar, me 6 Tetor 2019, duhet dhe do ta ndëshkojë këtë elitë politike dështake, sepse Kosovës i duhet si emergjencë kombëtare:VETTING-u i drejtësisë, dekriminalizimi i politikës dhe integrimi në BE. Ajo forcë politike e cila merr përsipër sot miratimin e VETTING-ut dhe dekriminalizimin e politikes, asaj i duhet besuar qeverisja, sepse krye problemi në Kosovë është VETTING-u dhe dekriminalizimi i sistemit të drejtësisë dhe politikës”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, nga qeverisja e re e Kosovës duhet patjetër të miratohet Reforma e thellë në Drejtësi dhe të zbatohet Vetting-u edhe në Kosovë, ashtu sikur po zbatohet në Shqipëri, sepse Vetting-u është një skaner, kontrolli i trefishtë mbi njerëzit e sistemit të drejtësisë dhe politikes.

“Mbi ligjshmërinë e pasurisë së tyre; për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, pra me botën e krimit si dhe mbi aftësimin profesional të tyre. Ky VETING mbi drejtësinë i hap rrugën edhe VETING -ut tjetër të madh, atij mbi politikanët të cilët edhe ata do t’i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimeve të pasurive dhe të fshehjes së tyre; të rekordeve kriminale e të lidhjeve të tyre me krimin politik, ekonomik dhe ordiner. Dhe prandaj edhe Kosova ka nevojë për një VETING të tillë si ky që është miratuar në Shqipëri”, shtoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

VETING-u, sipas Kapitit, është një sistem kontrolli para të cilit gjyqtarët dhe prokurorët duhet të përgjigjen dhe të japin llogari, si dhe sistemin i cili e pastron, pastaj edhe politikën nga individë me rekorde kriminale dhe po kështu e pastron edhe administratën shtetërore.

“Prandaj ka pasur dhe ka hezitime për ta bërë një hap të tillë nga strukturat e ndryshme të krimit të organizuar të lidhura më drejtësinë dhe politikën. Për këtë edhe Kosovës i duhet një mbështetje e fuqishme nga jashtë nga Amerika. Armiqtë dhe kundërshtarët më të mëdhenj të VETTING-ut janë politikanët, pushtetarët, gjyqtarët, prokurorët, kryetarët e komunave dhe të bashkive, bizneset e pista,mediet e shitura dhe mercenare, dhe të gjithë ata te tjerët të cilët kanë shfrytëzuar detyrat dhe postet publike dhe shtetërore për të vjedhur, për të përvetësuar e grabitur paranë publike, prona dhe pasuri të qytetarëve dhe ato shtetërore, të cilët edhe duhet të ndëshkohen penalisht”.

“Prandaj Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i VETTING-ut është i vështirë për t’u bërë edhe në Kosovë ashtu sikurse ishte shumë i vështirë edhe në Shqipëri. Sido qoftë, Reforma në drejtësi në Shqipëri u miratua vetëm pas ndërhyrjes vendimtare të SHBA-ve të BE, sidomos të përkushtimit të Ambasadës Amerikane, të ambasadorit Donald Lu i cili deklaronte në një takim të tij me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë se “ Reforma në Drejtësi është prioritet madhor i Ambasadës Amerikane”. Dhe këtë prioritet duhet ta ketë edhe ambasada amerikane në Prishtinë për një Reformë të tillë edhe në Kosovë”, përfundoi njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)