Të dhëna shqetësuese, 132 persona janë raportuar të zhdukur brenda gjysmës së parë të këtij viti

  • 24 September 2019 - 15:07
Të dhëna shqetësuese, 132 persona janë raportuar të zhdukur brenda gjysmës së parë të këtij viti

Të premten e kaluar, me datë 20 shtator, një nënë nga Ferizaji kishte vërejtur se djali i saj nuk ishte kthyer në shtëpi. E për këtë, ajo e kishte lajmëruar policinë, për të cilin të të nesërmen, kjo strukturë e sigurisë raportoi se ai tashmë është i zhdukur.

E rastet e zhdukjes janë bërë edhe më shqetësuese për faktin se disa nga ta nuk janë gjendur ende edhe pse dihet se janë të gjallë. Është rasti i Yllka Derrit nga Gjakova e cila edhe i kishte lajmëruar familjarët dhe i kishte thënë se po fliste me ta në mënyrë të fshehtë.

E zhdukja e personave pa lënë asnjë gjurmë këtë vit ka shënuar rritje.

Gazeta Express ka kërkuar nga Policia e Kosovës statistika se sa persona deri më tani janë shpallur të zhdukur, e përgjigja që ka marrë ka qenë shokuese.

Nga data 1 janar deri më datën 31 korrik, në institucionin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë janë raportuar 132 raste të zhdukjeve.

Vetëm në muajin shkurt, ishin zhdukur dy vajza të reja brenda dy ditësh. Madje rastet e zhdukjes ishin raportuar nga prindërit e tyre, të cilët edhe publikisht kishin dalë duke bërë thirrje që vajzat e tyre të kthehen në shtëpi.

Rastet e zhdukjeve nuk janë fenomen vetëm tek të rinjtë. Madje para katër muajsh, një person 76 vjeçar ishte shpallur i zhdukur nga familjarët dhe policia. Në atë kohë, bëhej thirrje publike për të gjithë ata që e kanë parë që ta lajmërojnë tek familjarët.

(Kosova Sot Online)