Drejtësia në Kosovë, vjen paralajmërimi i rëndë

  • 24 September 2019 - 16:14
Drejtësia në Kosovë, vjen paralajmërimi i rëndë

"Me një fjalë sistemi i drejtësisë në Kosovë, i ngjan sistemit të drejtësisë në Bullgarinë e viteve të ’90 apo edhe të kohës së Kolombisë së Eskobarit, kur organizatat e krimit të organizuar të instaluar edhe në majat më të larta të pushtetit, emëroni e shkarkonin gjykatës e prokuror sipas nevojave të tyre. Kjo është e rrezikshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj si një vend që aspiron për integrime euro-atlantike", tha Haziri për "Kosova Sot Online".

Drejtësia në Kosovë tash e 20 vite është e ndikuar krejtësisht nga politika, dhe sipas analistëve shumë raste të politikanëve të ndryshëm kosovarë janë fshehur nga drejtësia kosovare. Madje shpeshherë ka ndodhur të avancohen edhe gjyqtarët, të cilët i kanë mbyllur lëndët ose i kanë vendosur në kundërshtim me ligjin.

Image
Nexhat Haziri

Sipas analistëve, gjyqtarët në Kosovë po avancohen nga Gjykata e Apelit në atë Supreme, si dhe nga Gjykata Themelore në atë të Apelit në mënyrë skandaloze dhe kriminale, edhe këtë lajm për avancimin e marrin nga klanet mafioze dhe pushtetarët, ende pa vendosur në KGJK.

Në lidhje me këtë temë për "Kosova Sot Online", foli analisti politik, Nexhat Haziri, sipas të cilit, funksionimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë është i kapur nga politika.

"Funksionimi i sistemit të drejtësisë në vend, jo vetëm i ndikuar por tashmë i kapur nga politika dhe parapolitika, të jap të drejtën e konstatimit se ky sistem i drejtësisë në vend është vetëm edhe një nga hallkat e krimit të organizuar në Kosovë, ngjashëm me sistemet e drejtësisë në vende diktatoriale e me demokraci të dështuara", tha Haziri për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, fakti se përkundër aferave të shumta korruptive, por edhe në atë të krimit të organizuar në të cilat janë të involvuar profile të larta të politikës kosovare, deri më tani nuk kemi asnjë të dënuar, dëshmon se proceset e tyre gjyqësore janë jo transparente, me gjykatës e prokuror të paracaktuar dhe të shantazhuar.

"Një nga fenomenet e një drejtësie të korruptuar dhe të kapur nga mafia politike dhe ajo biznesit është vjetërsimi i qëllimshëm i lëndëve nëpër gjykatat e Kosovës, me çka iu ka mundësuar personave të caktuar, përfshirë edhe ish-udhëheqës të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, oligarkëve, që të shmangin vuajtjen e dënimeve të shqiptuara", shtoi Haziri për "Kosova Sot Online".

Tutje, Haziri tha se për të gjitha këto shërbime që gjykatës e prokuror iu ofrojnë të inkriminuarave , çoftë të politikës, por edhe të oligarkëve të lidhur më këta të parët, shpërblehen duke u avancuar në karrierë.

"Me një fjalë sistemi i drejtësisë në Kosovë, i ngjan sistemit të drejtësisë në Bullgarinë e viteve të ’90 apo edhe të kohës së Kolombisë së Eskobarit, kur organizatat e krimit të organizuar të instaluar edhe në majat më të larta të pushtetit, emëroni e shkarkonin gjykatës e prokuror sipas nevojave të tyre. Kjo është e rrezikshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj si një vend që aspiron për integrime euro-atlantike", përfundoi analisti, Nexhat Haziri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)