“Po kontrolloheni nga Prishtina”, Lista Serbe i përgjigjet ashpër Rashiqit e Petroviqit

  • 25 September 2019 - 09:32
“Po kontrolloheni nga Prishtina”, Lista Serbe i përgjigjet ashpër Rashiqit e Petroviqit

Lista Serbe i është kundërpërgjigjur kandidatit për kryeministër nga koalicioni “Slobodna”, Nenad Rashiq për akuzat e tij lidhur me presionin që po i bëhet atyre që nuk po duan të jenë vegël e Beogradit në Kosovë.

Igor Simiq nga Lista Serbe duke iu referuar politikanes Rada Trajkoviq, si dhe kandidatit tjetër për kryeministër Nenad Rashiq, e po ashtu edhe Slobodan Petroviqit,  i ka quajtuar ata “serbë privat” që kontrollohen nga strukturat shqiptare.

Sipas tij, ata bëhen bashkë me shqiptarët për të sulmuar Listën Serbe, si dhe për të prishur “urën lidhëse të Serbëve të Kosovës me Serbinë”. 

Ai tha tutje se është e rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të gjitha ulëset e rezervuara në parlamentin e Kosovës.

“Vendimi i KQZ-së për të privuar nga votimi 4 mijë serbë me të drejtë vote, është i jashtëligjshëm dhe tenton të reduktojë numrin e votave serbe, në përgjithësi atyre që votojnë për Listën Serbe. Kjo do t’u japë hapësirë partive serbe që ndikohen nga autoritetet e Prishtinës që të fitojnë pak hapësirë”, ka thënë Simiq.

Kujtojmë, se gjatë ditës së djeshme, kandidati për kryeministër, Nenad Rashiq dha deklarata të cilat mund të jenë cak i Prokurorisë së Shtetit.

Ai tha se frikësohet se mund të vritet, duke përmenduar kështu rastin e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë të Veriut  vitin e kaluar.

(Kosova Sot Online)