Trajkoviq fillon fushatën zgjedhore para shtëpisë ku u vra Oliver Ivanoviq

  • 25 September 2019 - 12:05
Trajkoviq fillon fushatën zgjedhore para shtëpisë ku u vra Oliver Ivanoviq

“Të vrasësh një njeri vetëm sepse foli ishte një krim i madh. Ngadalësimi i një hetimi është gjithashtu një krim, por mbrojtja e një krimineli është një krim kundër krimeve, dhe unë mendoj se ata dhe ata që dyshohen për krime kundër Oliver (Ivanoviqit) kanë, për fat të keq, mbrojtje nga Presidenti i Serbisë”.

Këto kanë qenë disa fjalët me anë të së cilave, Rada Trajkoviq ka filluar një fushatë për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, shkruan kossev.info, përcjell Telegrafi.

Po sipas këtij mediumi, edhe pse anëtare e Koalicionit “Sloboda”, ajo erdhi në vendin e vrasjes e vetme, la lule në një pllakë – në vendin ku u vra Ivanoviq. 

Trajkoviq gjithashtu ka përmendur edhe arsyen e ardhjes së saj para shtëpisë së Oliver Ivanoviqit – ajo do të bëhet një Qendër Përkujtimore ku do të mblidhen të rinjtë.

“Kjo është arsyeja pse nga ky vend, unë kam ardhur për t’ju thënë, se kjo shtëpi, ku Oliver e kaloi pjesën më të madhe të kohës, këtë shtëpi nga e cila lindi liria, mirëkuptimi dhe porositë e bashkëjetesës për të gjithë serbët dhe të gjithë njerëzit në Kosovë, kjo shtëpi do të bëhet Qendra Përkujtimore e Oliver Ivanoviqit, ku të rinjtë do të mblidhen për të përhapur atë që është më e shenjtë, e cila është liria”, tha ajo.

Trajkoviq, nga ana tjetër, kujtoi se njëri prej të dyshuarve të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit është nënkryetari i Listës Serbe – Milan Radoiçiq, ndërsa në të njëjtën kohë, Lista Serbe “krenohet për faktin se është më popullorja ndër serbë”, me mbi 80% mbështetje midis serbëve, gjë që sipas saj është një “gënjeshtër”.

Po sipas mediumit në fjalë, vizita u shoqërua nga ekipe të mediave dhe vëzhgues nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në BE, duke shtuar se si zakonisht, në vendngjarje kishte një patrullë policie.

Para ardhjes së Trajkoviqit, shkruan mediumi serb, u vërejtën një numër automjetesh që përmbajnë anëtarë të Listës Serbe, lokalet e së cilës parti janë afër shtëpisë ku punonte Oliver Ivanoviq.

(Kosova Sot Online)