Parlamenti Evropian rikonfirmon mbështetjen për liberalizimin e vizave

  • 25 September 2019 - 12:18
Parlamenti Evropian rikonfirmon mbështetjen për liberalizimin e vizave

Pothuajse gjysmë viti qëkur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës u përmend për herë të fundit në organet më të larta të BE-së, dje më 24 shtator, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile ka votuar pro liberalizimit të vizave për kosovarët.

Votimi ka ndodhur pavarësisht kundërshtimit nga disa shtete anëtare të BE-së, në veçanti, ato që akoma nuk e kanë njohur Kosovën si një vend të pavarur.

49 anëtarë të këtij komiteti votuan për të filluar bisedimet me Këshillin Evropian, aprovimi i të cilit është hapi i fundit që duhet ndërmarrë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë  pa viza në vendet anëtare të Zonës Shengen. 

Sipas VisaGuide.World kjo është hera e tretë për këtë vit që Parlamenti Evropian po voton për të filluar bisedimet me Këshillin e BE-së për Kosovën. Ky i fundit ka refuzuar të nis negociatat për shkak të kundërshtimit të disa anëtarëve të BE-së përfshirë Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, të cilat nuk e njohin Kosova si shtet i pavarur, si dhe të disa shteteve të tjera që kanë frikë se një valë e re migrimesh drejt Evropës mund të nisë sapo marrëveshja e udhëtimit pa viza me Kosovën të hyjë në fuqi.

Gjatë një debati plenar në mars të këtij viti, raportuesja Tanja Fajon pati kritikuar qeveritë e BE-së për mosdhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën.”Qeveritë e BE-së nuk e kanë përmbushur atë që premtuan”, Fajon ishte ankuar duke shtuar se vendet anëtare të BE-së po bllokojnë një vend të vogël pa arsye reale.

Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile (LIBE) kishte dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në gusht të vitit të kaluar, për herë të parë. Më vonë, në shtator, Parlamenti Evropian ra dakord të fillojë bisedime për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Tani këshilli i ministrave duhet të pajtohet që ta zhvendosë Kosovën nën listën e vendeve pa viza, në mënyrë që të përfundojë procesi. Përderisa shumë zyrtarë të lartë të BE dhe politikanë nga Shtetet Anëtare kanë shprehur shqetësimin e tyre se liberalizimi i vizave po vonohet pa ndonjë arsye, mu si raportuesja Fajon, disa nga anëtarët tjerë të BE-së ende mendojnë se Kosova nuk kualifikohet për liberalizim, pavarësisht se ka përmbushur kriteret e përcaktuara.

Pas krizës së refugjatëve të vitit 2014 në Evropë, gjatë së cilës kosovarët ishin azilkërkuesit kryesorë nga vendet e listuara si të sigurta, BE ka frikë se një fluks i mundshëm i azilkërkuesve ose migrantëve të paligjshëm nga Kosova mund të ndodhë përsëri.Megjithatë, një raport i publikuar nga SchengenVisaInfo tregon se azilkërkuesit nga Kosova nuk duhet të jenë më shqetësim për vendet e BE-së.

Në fakt, ka 12 shtete që kanë tashmë një marrëveshje udhëtimi pa viza me BE-në, të cilat edhe vite pas arritjes së marrëveshjeve, ende paraqesin numër më të lartë të kërkesave të pabaza të azilit, përfshirë fqinjët e Kosovës, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

(Kosova Sot Online)