Pas skandalit, Trump do të takohet me presidentin e Ukrainës

  • 25 September 2019 - 16:01
Pas skandalit, Trump do të takohet me presidentin e Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet të mërkurën me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Kreu i Shtëpisë së Bardhë po kritikohet ashpër për raportimet se i ka bërë presion kryetarit të Ukrainës për ta hetuar djalin e rivalit politik, Joe Biden. Ai madje rrezikohet edhe nga shkarkimi.

Caktimi i takimit mes dy liderëve vjen më pak se 24 orë pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi se ky organ do ta fillojë zyrtarisht procesin e hetimeve kundër presidentit. Donald Trump është vetëm presidenti i katërt në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me një masë të tillë.

Në zemër të këtyre hetimeve është biseda telefonike e 25 korrikut mes presidentit amerikan dhe presidentit ukrainas, ku ai i bën presion homologut për ta hetuar njërin ndër rivalët kryesorë politikë, Joe Bidem, i cili është kandidat për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Të mërkurën në mëngjes, presidenti Trump i akuzoi demokratët se janë ngrirë nga urrejtja dhe frika dhe përsëriti se ka qenë viktimë e “gjuetisë së shtrigave”.

Ai gjithashtu u ankua përmes rrjetit social, Twitter, për trajtimin që po i bëhet, duke thënë: “Asnjë president në historinë e vendit tonë nuk është trajtuar kaq keq sa po trajtohem unë”.

Presidenti amerikan ka pranuar se ka biseduar me presidentin ukrainas për Biden-in, por ka mohuar se ka kërkuar favore nga homologu evropian, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)