Haradinaj takon ambasadorin gjerman në OKB: Faleminderit që jeni kundër ndryshimit të kufijve

  • 25 September 2019 - 16:27
Haradinaj takon ambasadorin gjerman në OKB: Faleminderit që jeni kundër ndryshimit të kufijve

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar sot edhe Përfaqësuesin e Përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen”.

Në këtë takim është diskutuar për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për zhvillimet e brendshme politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Në frymën e vazhdimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes, sot në New York takova Përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, me të cilin diskutuam për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, dialogun me Serbinë, zgjedhjet e reja në vend dhe partneritetin strategjik që Kosova e ka ndërtuar, veçmas viteve të fundit me shtetin gjerman” ka potencuar Haradinaj.

Ai ka thënë se ka falendëruar ambasadorin Heusgen për qëndrimin kundër të Gjermanisë për idenë e prekjes së kufijve dhe për angazhimin gjerman që dialogu të rifillojë pa kushtëzime.

“E falënderova Ambasadorin Heusgen për qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë dhe kancelares Angeka Merkel kundër idesë për ndryshimin e kufijve dhe angazhimin konkret për rikthimin e dialogut pa kushte Kosovë – Serbi”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj thotë se Kosova është përkushtuar që bashkë me aleatët të vazhdojë rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Kosova është e përkushtuar, krah me aleatët strategjik që të vazhdojë rrugën e saj euroatlantike, fuqizimin e brendshëm dhe afirmimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, si dhe për paqe e stabilitet rajonal”, ka shtuar tutje kreu i AAK’së.

(Kosova Sot Online)