Vuçiq: Amerika më s’do konflikt të ngrirë në Kosovë, s’duam as ne

  • 25 September 2019 - 17:42
Vuçiq: Amerika më s’do konflikt të ngrirë në Kosovë, s’duam as ne

Presidenti i Serbisë, Aleksnder Vucic, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që të zgjidhin problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi nuk dëshirojnë që ky problem të mbetet konflikt i ngrirë edhe për dhjetë vjet të tjera apo më shumë. Sipas tij një qëndrim i tillë është edhe në interes të Serbisë gjithashtu.

Në një intervistë për Tv Pink ai ka folur edhe për takimin e shkurtër që ka pasur me presidentin e SHBA’së, Donald Trump, duke thënë se nuk dëshiron që ta shes si spektakël një takim që ka zgjatur vetëm pak minuta.

Lidhur me takimet që ka pasur me Përfaqësuesin e Lartë të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe zyrtarin tjetër të Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, Vuçiq ka thënë se SHBA’të janë të interesuar që të zgjidhin problemin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Çfarë do ta veçoja si pozitive është që amerikanët flasin në mënyrë racionale, pavarësisht faktit që disa prej ideve tona nuk do të pranohen. Por ata dëshirojnë që të na dëgjojnë dhe të përpiqen drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka thënë Vucic.

 Sipas tij një gjë e tillë tregon se SHBA’të kanë bërë një përparim të vogël.

“Fakti që amerikanët nuk dëshirojnë një ‘konflikt të ngrirë’, është gjithashtu edhe në interesin e Serbisë”, ka thënë Vucic, pasi sipas tij ekziston pyetja se kur një konflikt i tillë mund të ‘shkrihet’, apo të shndërrohet në një konflikt në vete.

Presidenti serb në fund ka folur edhe për fushatën e Serbisë kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke thënë se tetë për qind e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara “kanë tërhequr njohjen apo janë në proces të heqjes së njohjes për Kosovën”.

Në New York ka qëndruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, megjithatë nuk ka pasur ndonjë takim në mes tij dhe Vuçiqit.

Presidenti serb ka thënë se do të dëshironte të takohej dhe me Thaçin por që sipas tij ai “po shtëitet korridoreve të New Yorkut”.

Nuk ka munguar as përgjigja e Thaçit lidhur me këtë deklaratë të kreut të shtetit serb.

Kreu i shtetit kosovar i ka thënë Vuçiqit se deklaratat e tilla janë qesharake.

“Mua më vjen mirë që Vuçiç ka hyrë në dyert e OKB-së përmes njerëzve të Kosovës, ndërsa në anën tjetër dëshiroj të theksoj se këto që thotë Vuçiç janë qesharake. Nëse ai ka hyrë nga tavani në selinë e OKB-së, ne kemi hyrë nga dera”, ka thënë Thaçi.

(Kosova Sot Online)