Çfarë po ndodhë me Telekomin? Ky është kërcënimi nga Z-Mobile

  • 26 September 2019 - 07:39
Çfarë po ndodhë me Telekomin? Ky është kërcënimi nga Z-Mobile

“Ikja e temës së nxehtë të Telekomit nga ana e partive politike, më shumë se nga pamundësia e ofrimit të zgjidhjes, po bëhet nga frika e prishjes së raporteve "miqësore" me Devollët, për t''i shfrytëzuar lirshëm paratë e tyre për financimin e fushatës, duke e sakrifikuar qëllimshëm Telekomin, që edhe ashtu është në prag të falimentimit nga kërcënimi që i ka bërë Z-Mobile me procedurë përmbarimore”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Një nga problemet serioze që ka mbetur pezull, pa përkujdesje dhe mbështetjen e duhur nga qeveria e dorëhequr, është problemi i Telekomit të Kosovës, kontesti i madh që ka me kompaninë Z-Mobile dhe kërcënimi për ta falimentuar atë duke kërkuar shlyerjen e borxhit të pretenduar nëpërmes të përmbaruesit.

Derisa kompania publike nuk ka aspak siguri, dhe nga momenti në moment rrezikohet të shkojë drejt falimentimit, të gjitha partitë politike janë vërsulur në fushatë zgjedhore dhe askush nga kandidatët për kryeministër nuk po kujtohet që të flas dhe të ofrojë zgjidhje për këtë çështje të hapur, që në programin e vetë të qeverisjes që po e proklamojnë, ta merr për trajtim dhe zgjidhje çështjen e Telekomit të Kosovës, duke ditur që krimi i organizuar është futur thellë në këtë kompani dhe e ka zhvatur mbi qindra miliona euro, për shkak se iu mundësua Devollëve qa ta vjedhin dhe zhvatin "deri në asht" për mbi 10 vite të plota, nën bekimin e pushtetarëve të inkriminuar gjatë kësaj dekade.

Analistët politikë të cilët e kanë përcjell hap pas hapi edhe punën e komisionit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, i cili merrej me hetimin e kontratës kriminale në mes të Telekomit dhe Z-Mobile, e që kërkonin ndërprerjen e saj dhe ndëshkimin e zhvatësve, tani këtë heshtje të problemit të Telekomit në fushatë dhe lënien krejtësisht në harresë, pa premtuar rrugën e zgjidhje, e shohin si një tradhti mbas shpine që po i bëhet kësaj kompanie, nga frika që kanë prej krimit të organizuar të rrjetit të Devollëve.

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa lidhur më këtë ikje nga tema e Telekomit që po e bëjnë partitë politike, thotë se kjo harresë është krejtësisht e qëllimshme, madje e frikshme për secilin kandidat për kryeministër.

“Sepse në këto zgjedhje, bartësit e listës po e bëjnë edhe fushatën e kandidatit të shpallur për të parin e qeverisë, dhe qëllimin e kanë te vota dhe sigurimi i fondeve se si ta mbulojnë koston e fushatës, pa e zgjedhur pastërtinë fondeve. Të gjitha partitë politike duke vrapuar pas gjahut për vota, as që po u bie ndërmend për trajtimin e problemeve madhore për vendin. Të gjithë kandidatëve për kryeministra as që po ju kujtohet, që në programin e vetë të qeverisjes që po e proklamojnë, e lërë më ta trajtojnë zgjidhjen e çështjes s Telekomit të Kosovës, duke ditur që krimi i organizuar i ka futur thellë rrënjët në këtë kompani dhe ka zhvatur me qindra miliona euro. Siç duket situatën e krizës në këtë ndërmarrje publike, nuk e pëlqejnë për trajtim kandidatët për kryeministra, e aq më pak partitë politike që shfrytëzojnë fondet e pista të "Z-Mobile" për financimin e fushatës elektorale”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, vazhdimi i lënies në harresë të kësaj teme, shkon krejtësisht në favor të Devollëve dhe në dëm dhe rrezikimin e Telekomit nga falimentimi që akoma nuk është shmangur.

“Heshtja dhe anashkalimi i çështjes së Telekomit të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore nga ana e subjekteve të caktuara politike po bëhet për t'ua mundësuar atyre që vodhën dhe zhvatën "deri në asht" për mbi 10 vite të plota, nën bekimin e pushtetarëve të inkriminuar gjatë kësaj dekade. Ikja e temës së nxehtë të Telekomit nga ana e partive politike, më shumë se nga pamundësia e ofrimit të zgjidhjes, po bëhet nga frika e prishjes së raporteve "miqësore" me Devollët, për t''i shfrytëzuar lirshëm paratë e tyre për financimin e fushatës, duke e sakrifikuar qëllimshëm Telekomin, që edhe ashtu është në prag të falimentimit nga kërcënimi që i ka bërë Z-Mobile me procedurë përmbarimore. Në emër të votës për "ndryshim", aty për aty po harrohet interesi i shtetit. Me harrimin e Telekomit, po harrohet interesi i kompanisë publike më fitimprurëse në vend, po harrohet interesi i përgjithshëm qytetarëve”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)