Haradinaj i kthehet sot fushatës, merr pjesë në tubim në Prishtinë

  • 26 September 2019 - 12:04
Haradinaj i kthehet sot fushatës, merr pjesë në tubim në Prishtinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dje ka hapur fushatën në Suharekë, por ndryshe nga hapja e fushatave të partive tjera, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka marrë pjesë në tubim.

Kjo ngase, Haradinaj ka fluturuar drejt SHBA-së ku ka takuar zyrtarë të lartë amerikanë, siç ishte takimi me Matthew Palmer, i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Shpend Ahmeti nga Suhareka ka treguar se çfarë i ka thënë Haradinaj kur e ka pyetur se përse nuk do të marrë pjesë në ditën e parë të fushatës.

“Të dielën, kandidati jonë për Kryeministër, Ramush Haradinaj, më tha po më duhet me shkur për Amerikë. T’martën tha me shku dhe me u kthy të enjten në mëngjes. Tashë, po Ramush na ia fillojmë fushatës të mërkurën. Nuk ka kuptim me e nisë fushatën pa ty në Therandë, dhe më tha  s’kemi çare pa shku Shpend, për shkak se kur s’po jemi aty, sene të këqija po ndodhin për Kosovën”, ka treguar Ahmeti.

Haradinaj pritet të kthehet sot në Kosovë dhe t’i bashkohet tubimit të AAK-së në Prishtinë që do të mbahet sot në ora 18:00. Para tubimit, ai do të mbajë një konferencë për media.

(Kosova Sot Online)