Eksperti çek zbulon se çfarë fshihet prapa kërkesës së Zemanit për ta tërhequr njohjen e Kosovës

  • 26 September 2019 - 12:22
Eksperti çek zbulon se çfarë fshihet prapa kërkesës së Zemanit për ta tërhequr njohjen e Kosovës

Eksperti çek, Tomas Dopita, nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se prapa kërkesës së presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës, qëndron përpjekja e tij për të përforcuar pozitën si president.

Ai thotë se nuk beson që populli çek fle dhe zgjohet duke menduar rreth çështjes së njohjes së Kosovës.

“Unë e shoh vetëm si një lojë për të fituar pushtet. Kemi një president që zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. Unë i marrë deklaratat e tij për Kosovën si një përpjekje për të forcuar edhe më tej pozicionin e tij mbizotëruese”, ka thënë Dopita për ‘zpravny.aktualne.cz’.

Sipas ekspertit çek, nuk është që Zeman e ka bërë një deklaratë të tillë në mënyrë spontane para gazetarëve në Beograd, pasi sipas tij ai një gjë të tillë e ka kalkuluar mirë dhe gjatë.

Megjithatë Dopita thotë se nuk beson se do të ndodhë tërheqja e njohjes për Kosovën, pasi sipas tij një gjë të tillë nuk do ta bëjë kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babish.

“Ai është shumë pragmatik, dhe nëse e bën një gjë të tillë nuk do ta ndihmonte atë në raportet me partnerët perëndimorë”, ka shtuar tutje eksperti çek për marrëdhënie ndërkomëbtare.

Tutje ai ka kujtuar faktin se Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë është plotësisht dhe hapur kundër kërkesës së Zemanit.

Sa i përket deklaratës së presidentit çek se njohja duhet të hiqet për shkak se Kosova udhëhiqet nga “kriminelë të luftës”, Dopita thotë se një gjë e tillë nuk është një argument i mjaftueshëm pasi që shumë vende të botës udhëhiqen nga njerëz problematik.

Tutje Dopita ka folur edhe për problemet e brendshme me të cilat përballet Kosova dhe rreth asaj se a është Kosova një shtet funksional.

“Unë e perceptoj Kosovën si një shtet që funksionon mirë, i krahasueshëm në shumë aspekte me fqinjët e saj. Problemi kryesor i Kosovës është statusi i paqartë. Në pjesë të vendit ku ka shumicë serbe, praktikisht nuk ka siguri juridike dhe nuk respektohen rregullat e Kosovës. Kjo e vështirëson jetën në Kosovë”, ka thënë Dopita.

Ai në fund ka folur edhe për faktin e mos dhënies së vizave, duke thënë se një gjë e tillë e ka future Kosovën në geto dhe izolim.

“Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk mund të udhëtojë pa viza në Bashkimin Evropian. Pra vepron në një lloj geto, dhe ne e kemi lënë në izolim. Kjo është edhe arsyeja pse nuk po zhvillohet aq shumë. Ne po e lëmë atë që të ndikohet edhe nga të tjerët”, ka përfunduar eksperti çek nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Tomas Dopita.

(Kosova Sot Online)