“Telekomi”, Vetëvendosje paralajmëron ashpër Devollët

  • 26 September 2019 - 13:12
“Telekomi”, Vetëvendosje paralajmëron ashpër Devollët

“Të gjitha këto tema që ndërlidhen edhe me problemet rreth Telekomit të Kosovës, i kemi të fiksuara dhe të detajuara në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, do të trajtohen më së miri që është e mundshme, sepse është bërë strategjia e veçantë edhe për zgjidhjen e kontestit me Z-Mobile dhe për të ju dhënë fund të gjitha monopoleve të tjera, sikur që është edhe homologimi dhe ndonjë rast tjetër”, tha Lajqi për “Kosova Sot Online”.

Derisa ish partitë politike të koalicionit PAN në këtë fazë të zhvillimit të fushatës zgjedhore nuk flasin, por heshtin për problemin e mbetur pezull në Telekomin e Kosovës, kontestin me Z-Mobile dhe rrezikun nga falimentimi i mundshëm për shkak të plaçkitjes kriminale të dhjetë vjeteshin që po mbetet prapa.

Image
Ali Lajqi

Por, subjekti politik opozitar në mandatin e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, tani zotohet se me programin e vetë të hartuar enkas për zhvillimin ekonomik, kapitull të veçantë i ka kushtuar rimëkëmbjes së Telekomit, nxjerrjes nga kthetrat zhvatëse dhe shantazhi që vjen nga Devollët dhe Z- Mobile, madje duke marr në dorë dhe hetuar kontratën kriminale rresht për resht, me të gjitha vendimet tjera përcjellëse të cilat kanë shkuar në dëm të Telekomit, por edhe fushat tjera monopoliste me të cilat kanë operuar vëllezërit Devolli.

Këtë zotim për zbatim të një plani e programi të tillë, e ka dhënë për “Kosova Sot Online”, ish deputeti Ali Lajqi, edhe tani kandidat për deputet nga VV-ja në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Të gjitha këto tema që ndërlidhen edhe me problemet rreth Telekomit të Kosovës, i kemi të fiksuara dhe të detajuara në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, do të trajtohen më së miri që është e mundshme, sepse është bërë strategjia e veçantë edhe për zgjidhjen e kontestit me Z-Mobile dhe për të ju dhënë fund të gjitha monopoleve të tjera, sikur që është edhe homologimi dhe ndonjë rast tjetër. Secili rast që paraqet monopol dhe pengesë për zhvillimin ekonomik, e me trajtim të veçantë Telekomi dhe zhvillimet rreth tij, do të trajtohen për tu mbrojtur interesi publik me përkushtim dhe ligjshmëri, sepse nuk mundë të lihet pezull zgjidhja e këtyre problemeve. Prandaj ne në programin tonë i kemi kushtuar një vend adekuat edhe këtij problemi, sepse programi i jonë është program i kohësh dhe i problemeve që kërkojnë ndryshim, i bazuar në të gjitha lëshimet, gabimet dhe devijimet e mëdha që janë bërë gjatë kësaj qeverisje të kaluar, prandaj për secilin program ekspertët tonë kanë gjetur dhe përcaktuar praktike në funksion të eliminimit të atyre lëshimeve ”, tha Lajqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Lajçit, deri më tani ish pushtetarët nuk kanë folur për këtë problem serioz dhe është me rrezik për këtë ndërmarrje nëse edhe një herë të njëjtat struktura politike të PAN-it riciklohen dhe rikthehen në pushtet.

“Sepse gjendja e krizës do të thellohet dhe problemet e mbetura pezul nuk do të gjejnë zgjidhjen e merituar të interesit publik, por do të shkojnë në drejtim të përmbushjes së interesit të klientelave të lidhura me atë politikë shkatërruese që ka qeverisur deri dje, prandaj këtë herë qytetari nuk do të duhej gabuar që të ju jap mundësinë edhe një herë ish të dështuarve dhe të korruptuarve”.

Lajqi tha se në asnjë mënyrë me Vetëvendosjen në qeveri, nuk do të ketë vend për shantazhet që i kanë bërë deri tash Telekomit me Z-Mobile, e aq më pak për monopolet e tyre.

”Qeveria Kurti, dhe qeveria në të cilën do të jetë Lëvizja vetëvendosje, menjëherë do të ketë qasje serioze dhe do ta merr me prioritet çështjen e Telekomit me Z-Mobile, duke analizuar e shoshitur të gjitha kontratat, për të parë gjithë ecurinë negative që i është bërë këtij aseti të madh buxhetor të republikës Së Kosovës. Di të ndërpriten ato dhe do të ndihmohet që të rimëkëmbet shumë shpejtë, sepse përkushtimi dhe qasja është seriozë për zgjidhjen dhe ndërprerjen e atij problemi. Ne e dimë që kur ka guxim dhe vullnet që të zbatohet ligji, asgjë nuk është e pa mundshme, I gjithë shkatërrimi dhe dëmtimi që i është bërë deri më tani Telekomit, do të riparohet, rimëkëmbet e do të ndihmohet të ecë përpara të zhvillohet sepse që tani janë siguruar dhe angazhuar ekspertët që do ta trajtojnë veçmas këtë problem serioz”, përfundoi Lajqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)