Vrasja e të riut në Deçan: Prokuroria e Pejës e njëanshme, rasti i kalon asaj të Gjilanit

  • 26 September 2019 - 15:34
Vrasja e të riut në Deçan: Prokuroria e Pejës e njëanshme, rasti i kalon asaj të Gjilanit

Prokuroria Themelore në Gjilan do ta përfaqësojë lëndën, në të cilën për rastin e vrasjes në Deçan, që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018, akuzohet Shaban Gogaj. I akuzuari Gogaj, akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe Isuf Cacaj. Fillimisht, këtë lëndë, e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha.

Kërkesën e avokatit Berisha, e ka aprovuar Prokuroria e Apelit.

“Pas shikimit të shkresave të lëndës duke u bazuar në kërkesën e avokatit të pandehurit kemi ardhur në përfundim se kërkesa e mbrojtësit është e bazuar, sepse Prokuroria e Pejës ka treguar njëanshmëri dhe për të evituar çdo anshmëri për të siguruar gjykim të drejtë  kemi caktuar Prokurorinë Themelore të Gjilanit për përfaqësim në këtë rast”, ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti.

Se këtë lëndë do ta përfaqësojë Prokuroria e Gjilanit, ka njoftuar edhe kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, në seancën fillestare që ishte paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë.

Por, sikur dy seancat e kaluara, edhe kjo e së enjtes, ka dështuar të mbahet, duke bërë që as për herën e tretë të mos mund të nis gjykimi në këtë rast.

Sipas gjykatëses Husaj-Rugova, kjo seancë është shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Gogaj, avokatit Besnik Berisha, i cili e ka njoftuar gjykatën se rast të vdekjes, prandaj nuk ka mundur të jetë prezent.

Seanca e radhës është shtyrë në kohë të pacaktuar. Dy seancat e kaluara që ishin paraparë të mbaheshin më 24 qershor dhe më 9 gusht kishin dështuar.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon  të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

(Kosova Sot Online)