Ja se çfarë po fshihet prapa kërkesës së Zemanit për ta tërhequr njohjen e Kosovës

  • 26 September 2019 - 20:34
Ja se çfarë po fshihet prapa kërkesës së Zemanit për ta tërhequr njohjen e Kosovës

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman ka deklaruar se dëshiron që shteti i tij ta tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës derisa po vizitonte Serbinë, por diçka e tillë është kundërshtuar nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm çek.

Eksperti çek, Tomas Dopita, nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se prapa kërkesës së presidentit Zeman, për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës, qëndron përpjekja e tij për të përforcuar pozitën si president.

Ai thotë se nuk beson që populli çek fle dhe zgjohet duke menduar rreth çështjes së njohjes së Kosovës.

“Unë e shoh vetëm si një lojë për të fituar pushtet. Kemi një president që zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. Unë i marrë deklaratat e tij për Kosovën si një përpjekje për të forcuar edhe më tej pozicionin e tij mbizotëruese”, ka thënë Dopita për ‘zpravny.aktualne.cz’. 

Sipas ekspertit çek, nuk është që Zeman e ka bërë një deklaratë të tillë në mënyrë spontane para gazetarëve në Beograd, pasi sipas tij ai një gjë të tillë e ka kalkuluar mirë dhe gjatë.

Megjithatë Dopita thotë se nuk beson se do të ndodhë tërheqja e njohjes për Kosovën, pasi sipas tij një gjë të tillë nuk do ta bëjë kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babish.

Tutje Dopita ka folur edhe për problemet e brendshme me të cilat përballet Kosova dhe rreth asaj se a është Kosova një shtet funksional.

“Unë e perceptoj Kosovën si një shtet që funksionon mirë, i krahasueshëm në shumë aspekte me fqinjët e saj. Problemi kryesor i Kosovës është statusi i paqartë. Në pjesë të vendit ku ka shumicë serbe, praktikisht nuk ka siguri juridike dhe nuk respektohen rregullat e Kosovës. Kjo e vështirëson jetën në Kosovë”, ka thënë Dopita.

(Kosova Sot Online)