Shpërthejnë akuzat, politikanët kosovarë ‘dorëzohen’ përballë Serbisë

  • 27 September 2019 - 07:33
Shpërthejnë akuzat, politikanët kosovarë ‘dorëzohen’ përballë Serbisë

“Politikanët tonë nuk kanë pasur kohë të merren me krimet që Serbia i kreu ne Kosove, pasi politikanët tek ne ia kësyen hajnisë, pasurimit brenda ditës. Ata Kosovën e kanë pa si plaçkë që me çdo kusht duhet vjedhur, kështu që nuk iu ka bërë fare përshtypje pse Serbia ka ushtruar të gjitha format e krimit, ka vjedhur e plaçkitur këtu, dhe kjo dëshmon më së miri se çfarë niveli politikanësh kemi pasur”, tha Mehmeti për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po vazhdojnë të jenë shumë të zëshëm dhe kritik në pritje të vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin po e kërkon faktori ndërkombëtar me ngulm të riaktivizohet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, duke kritikuar institucionet dhe politikën që nuk po e nxjerrin në rend të parë për ta biseduar, çështjen e krimeve të luftës, por me merren me tema të tjera të cilat e lënë nën hije dhe e prolongojnë pa kufi këtë temë të dhimbshme për popullin e Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmet i bënë përgjegjëse të gjitha legjislaturat e deritanishme të institucioneve, qeveri e Kuvend, edhe presidencën, që asnjëherë nuk u kujtuan që ta sfidojnë shtetin serb me faktet dhe argumentet e fuqishme për krimet e bëra në Kosovë, sepse nuk ka kuptim ulja në tavolinë të bisedimeve për pajtim, pa e pranuar krimin, pa i kthyer të pa gjeturit.

“Viktimat, dhe pa u zotuar, e pa garantuar për kompensimin e të gjitha dëmeve të luftës. Aq më tepër bëhen e nevojshme tema e kushtëzimit të Serbisë me çështjen e krimeve të luftës, derisa vetë intelektualët serb me mendje e logjikë të shëndoshë ngritën dhe flasin e shkruajnë kundër atij regjimi, madje edhe kundër klasës së tanishme politike në serbi që nuk distancohet nga krimet e luftës, dhe nuk e pranon kajsinë kolektive institucionale për ato krime”.

Madje, sipas Mehmetit, është akoma më absurd fakti se si në vetë shtetin serb, inteligjenca ka filluar të zgjohet, të flet e denoncojë hapur e me argumente krimet serbe të Millosheviqit, kurse politika jonë vazhdon të heziton për të vepruar në çfarëdo forme në atë drejtim.

Politika kosovare, sipas Faton Mehmetit, për plotë dy dekada po merret me vetveten, është distancuar nga populli dhe po shikon interesat e ngushta të grupeve klienteliste.

“Prandaj edhe nuk ka kohë që ta nxjerr në tavolinë bisedimesh ndërkombëtare, as ta padis Serbinë, për krimet e kryera. Politikanët tonë nuk kanë pasur kohë të merren me krimet që Serbia i kreu në Kosovë, pasi politikanët tek ne ia kësyen hajnisë, pasurimit brenda ditës. Ata Kosovën e kanë pa si plaçkë që me çdo kusht duhet vjedhur, kështu që nuk iu ka bërë fare përshtypje pse Serbia ka ushtruar të gjitha format e krimit, ka vjedhur e plaçkitur këtu, dhe kjo dëshmon më së miri se çfarë niveli politikanësh kemi pasur”, shtoi Faton Mehmeti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Mehmetit, duke qenë të zënë me hajni brenda shtetit, politikanët e Kosovës nuk do ta kushtëzojnë Serbinë edhe në të ardhmen, nëse në qeverisje nuk bëhen ndryshme të thella dhe shkëputje nga grupet kriminale, sepse ndryshe me një politikë serioze, Serbia e kushtëzuar me kohë, tani do të ishte detyruar ta pranojë krimin dhe kompensimin e dëmeve të luftës.

“Për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë do të duhej të paguante shtrenjtë, por fatkeqësisht që me politikanët hajn dhe të korruptuar kjo nuk mundë të detyrohet ta bëjë këtë. Duhet ta dimë njëherë e përgjithmonë se asgjë e mirë për vendin nuk vjen me politikanët hajna. Shpresoj se pas 6 tetorit, qeveria e ardhshme, shpresoj të mos jetë përsëri PAN-i, të nisë procedurat për të kërkuar dënimin e autorëve për krimet, si dhe dëmshpërblim nga ana e Serbisë për të gjitha dëmet që i ka kryer në Kosovë. Kjo është vetëm njëra ndër detyrat elementare që do të duhej të kryente qeveria e ardhshme e vendit, në mesin e një sërë problemesh që janë të grumbulluara për 20 vjet radhazi”, përfundoi Faton Mehmeti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)