Preu flokë për 96 vjet me radhë, vdes berberi më i vjetër në botë

  • 27 September 2019 - 09:47
Preu flokë për 96 vjet me radhë, vdes berberi më i vjetër në botë

Ka ndërruar jetë berberi më i vjetër në botë, Anthony Mancinelli në moshën 108-vjeçare, pasi që i njëjti kishte punuar berber për plotë 96 vite, shkruan CNN.

Mancinelli nga New York edhe pse kishte arritur moshën e pensionit kishte vazhduar që të punonte si berber. Djali i tij në një intervistë për CNN ka thënë se 108-vjeçari ishte diagnostikuar me tumor në nofull.

Mancinelli kishte hyrë në rekordet botërore të Guinness në vitin 2018-të si berberi më i vjetër në botë.

Ai kishte emigruar në moshën 8-vjeçare në SHBA, derisa që në moshën 12-vjeçare kishte filluar punën si berber për të ndihmuar familjen e tij, për shkak të gjendjes së keqe financiare.

“Të gjithë e donin atë. Ai është i njohur në të gjithë botën”, tha djali i tij. Sipas tij, Mancinelli ishte i shëndoshë derisa u diagnostikua me kancer në shkurt të këtij viti.

Rreth gjashtë javë para vdekjes edhe pse nuk ndihej mirë dhe duhej të pushonte për shkak të sëmundjes, ai nuk e linte punën.

Në vitin 1923 kur kishte filluar punën për herë të parë, Mancinelli filloi të printe flokët për 25 centë. Në fund të jetës, i njejti këtë shërbim po e kryente për 19 dollarë.

Gruaja e Mancinellit vdiq 15 vjet më parë, dhe djali tjetër i tij vdiq 36 vjet më parë.

(Kosova Sot Online)