Paralajmërimi: Ja pse politikanët kosovarë e meritojnë burgim të përjetshëm

  • 27 September 2019 - 14:05
Paralajmërimi: Ja pse politikanët kosovarë e meritojnë burgim të përjetshëm

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, tash e 20 vite pas luftës mbetet nën ndikimin e politikës, rrjedhimisht ky ndikim direkt në drejtësi ka bërë që në Kosovë të mos funksionon një shtet ligjor.

Një ndër rastet më të njohura në Kosovë, është rasti që bëri "bum", i njohur si "Pronto", e për të mos cekur raste e raste të shumta, ku më i freskëti është edhe dorëheqja e prokurorit të Elez Blakaj.

Sipas analistëve, mjaftojnë këto dy raste dhe direkt të drejtojnë që në Kosovë ka ndikim politika në njërën prej shtyllave kryesore të një shteti, sistemin e drejtësisë.

Image
Faik Krasniqi

Analistët thonë se drejtësia në Kosovë mbulon aferat penale ku janë te involvuar zyrtare të pushtetit dhe partive, ku amnistohen dhe fshihen rastet e tyre edhe kur gjykohen askush nuk merr vesh. Sipas tyre, ata i shpëtojnë mafio-oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkët e korporatokracise dhe nëntokës kriminale kosovare, dhe nuk merren me shumicën absolute prej tyre.

Po ashtu në Kosovë ndodh që të shpërblehen edhe gjyqtarët që i mbyllin lëndët ose kur i vendosin si të jashtëligjshme.

E lidhur me këtë, për "Kosova Sot Online", foli analisti politik Faik Krasniqi, sipas të cilit në Kosovë drejtësia dhe politika janë një.

"Sikurse vëllezërit siamez. Ata prej fillimit kanë lidhur pakt mes vete. Ne s'ju ngacmojmë juve, dhe as ju mos na ngacmoni neve. Do të thotë ne veprojmë me vepra korruptive dhe kriminale në terrenin tonë, kurse ju veproni në terrenin e juaj", tha Krasniqi për "Kosova Sot Online".

Tutje, Krasniqi tha se këta veprojnë sikurse bandat që kanë terrenet e tyre, dhe asnjëra bandë nuk futet në terrenin e bandës tjetër, sepse është terren i huaj.

"Prandaj s'mund te presim qe te ndëshkohen politikanët e korruptuar, që e vodhën dhe shkatërruan të ardhmen e këtij populli. Shumica e politikanëve në Kosovë, meritojnë burgim te përjetshëm për gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës në dy dekadat e fundit!", përfundoi Krasniqi për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)