Mesazhi i fortë i Britanisë, ‘shuplakë’ e rëndë për Kosovën

  • 27 September 2019 - 18:15
Mesazhi i fortë i Britanisë, ‘shuplakë’ e rëndë për Kosovën

“Deri tani, për këto 20 vjet pas lufte, gati po i afrohemi 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, sistemi i drejtësisë është në duart e pushtetarëve të inkriminuar, prandaj është koha e fundit që të ndodhë shkëputja e kësaj lidhje kriminale”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Kritikat e diplomatëve ndërkombëtar në Kosovë sa i takon fushës së rendit dhe ligjit, po vazhdojnë të jetë gjithnjë e më të ashpra e më të hapura, sado që drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kosovare dhe politika flasin për rezultate në këtë fushë dhe për vazhdim të reformave sistemore.

Së fundit edhe ambasadori i ri i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott, po ndjek të njëjtën rrugë të para ardhësit të tij, Ruairi O'Connelli sa i takon angazhimit për mbështetjen e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. 

Nicholas Abbott ka kërkuar nga politika, por edhe nga drejtësia që të bëhet më shumë në fushën e sundimit të ligjit.

Ai i tha qartë politikës se s’është e drejtë të flitet kaq shumë për korrupsionin në fushatë, e pas saj të mos bëhet asgjë. Po ashtu ai ka treguar se nuk ka drejtësi funksionale e të pa varur derisa nuk ndodhin reformat e vërteta, dhe të hiqet dorë nga improvizimi i shpeshtë I reformave dhe ndryshimi kot së koti i ligjeve.

“Dua të theksoj që Kosova ka nevojë për reforma gjyqësore, por këto duhet të bëhen nga analizat që vijnë nga konteksti i vendit tuaj. Duhet të ketë rezultate konkrete të korrupsionit dhe krimit të organizuar të profitit të lartë. Ekzekutivi dhe legjislativi kanë të drejtë të marrin veprime ligjore për ndryshimin e reformave ligjore”, ka thënë Abbott duke shtuar se vetëm ky veprim do të ishte një hap i rëndësishëm drejt arritjes së rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Njohësit e kësaj fushe e kanë vlerësuar si një shuplakë serioze të radhës ndaj politikës së pa përgjegjshme dhe drejtësisë së politizuar, këtë vërejtje serioze e cila vjen nga ambasadori britanik, Abbot.

Image
Ragip Guraziu

Analisti politik, Ragip Guraziu thotë se sado që është vërejtje miqësore, kjo është shuplakë e rëndë për politikën dhe drejtësinë kosovare një kritikë e tillë që vjen nga ndërkombëtarët, tash kur Kosova po i afrohet edhe 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe nuk ka arritur ta instaloj si duhet shtetin e së drejtës.

“Është një kontribut i mirëseardhur angazhimi i miqve ndërkombëtar, sidomos ambasadorëve që vijnë nga Amerika, Gjermania dhe Anglia, të cilët vazhdimisht po kujdesen që në Kosovë të ndërtohet dhe fuqizohet shteti i së drejtës, që këto institucione të përgjumura të drejtësisë dhe politika e pa përgjegjshme të jenë më efikas në luftën kundër krimit e korrupsionit, e të mos bëjnë vetëm zhurmë për fushatë elektorale”, tha Guraziu për Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, vetëm duke pasur mbështetje të vazhdueshme dhe një lloj monitorimi të afërt ndërkombëtar, mundë të depolitizohet plotësisht sistemi i drejtësisë kosovare, i cili ashiqare po shihet se është i ndikuar nga politikë. 

“Deri tani, për këto 20 vjet pas lufte, gati po i afrohemi 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, sistemi i drejtësisë është në duart e pushtetarëve të inkriminuar, prandaj është koha e fundit që të ndodhë shkëputja e kësaj lidhje kriminale”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, angazhimi i ambasadorit britanik, Abbot për reforma substanciale në drejtësi, dëshmon është i informuar shumë mirë për dobësitë e sistemit të drejtësisë në Kosovë i cili është ngulfatur tej mase nga ndikimi i politikës dhe ky ndikim duhet të ndalet.

“Nuk mundë të ecet kështu më tutje, nuk mundë të lejohet që sistemin e drejtësisë ta kenë në duar pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, dhe po thuajse asnjë vendim të mos mundë të merret në drejtësi pa lejen e nëntokës kriminale. Praktika e deritanishme e kontrollit të drejtësisë nga krimi i organizuar ka treguar se asnjë vendim nuk mund të merret sipas ligjeve në fuqi,por vetëm sipas vendimit të nëntokës kriminale”, tha analisti Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Mesazhet që vijnë nga ndërkombëtarët në formë të kritikave serioze, sipas Guraziut, vijnë për faktin se ata dëshirojnë që të ndikojnë edhe te votuesit në këtë kohë fushate, për ndryshime serioze në mandatin e ri qeverisës,

“Sepse me ndryshimet politike, mundë të kemi ndryshime pozitive edhe në drejtësi, në luftën kundër krimit e korrupsionit. Ndryshimet pozitive në sistemin e drejtësisë mundë të vijnë vetëm kur ky sistem të shkëputet nga dora e kapur e politikës. Nuk mundë të ketë luftë kundër krimit e korrupsionit, as drejtësi profesionale të pa varur derisa ky sistem vazhdon të jetë në duar të të njëjtave figura politike në pushtet, prandaj është koha për të vepruar dhe ndryshuar, sepse nuk duhet të lejojmë që të njëjtit të vijnë në pushtet duke na mashtruar me zotime e premtime të kota në emër të sundimit të ligjit, Nuk e thotë populli kot se ''ujku qimen e ndërron, por zanatin se harron'', prandaj me të drejtë duhet ta vlerësojmë edhe mesazhin e ambasadorit britanez i cili kërkon veprime dhe jo fjalë sa i takon luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, që kërkon reforma në drejtësi dhe shtet ligjor të barabartë për të gjithë”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)