Prizreni dhe Vjosa Osmani lidhin besë: “Kurrë koalicion me PDK-në”

  • 27 September 2019 - 22:13
Prizreni dhe Vjosa Osmani lidhin besë: “Kurrë koalicion me PDK-në”

“Vjosa, kur keni qenë më parë në Prizren, ne jua kemi dhuruar në mënyrë simbolike “Hyjneshën në fron” dhe “Vrapuesen e Prizrenit”. Sonte ne nuk kemi dhurata simbolike! Sonte ne po jua japim besën dhe dashurinë e Prizrenit!”, theksoi kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, derisa po e prezantonte kandidaten e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre të vendit, zonjën Vjosa Osmani.

Po ashtu, Quni tha se Prizreni e ka shkaktuar tërmetin e dytë politik, pas tërmetit që u shkaktua ditën e hapjes së fushatës në Prishtinë.

“Deri tani ish-qeveritarët kanë vepruar në Prizren me shantazhe, rrena e haraçe. Por, ju garantoj se më 6 tetor ata do të jenë minoriteti i vetëm në Prizren”, tha Quni, i cili, në emër të prizrenasve i premtoi përkrahjen e plotë kandidates Vjosa Osmani, gjatë një tubimi madhështor të mbajtur sonte në Prizren.

Në fakt, kandidatja e LDK-së për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, është besatuar me banorët e Prizrenit dhe të gjithë Kosovës se nuk do të ketë kurrë koalicion me PDK-në, pas fitores më 6 tetor.

“Mos ua falni asnjë sekondë atyre që janë sinonim i krimit dhe korrupsionit, as atyre që bënin pazare me tokat e Kosovës. Le ta dinë të gjithë këtu në Prizren dhe në të gjithë Kosovën. Kurrë më koalicion me PDK-në! Kurrë me krimin e korrupsionin! Prizrenasit e dinë se kur besatohem se nuk ka koalicion me PDK-në, ashtu edhe ndodh. Unë nuk e shkel besën, kurrë koalicion me PDK-në!”, tha zonja Osmani para mijëra qytetarëve të Prizrenit. 

Ajo pohoi me bindje se nuk ka asnjë dyshim që ora e ndryshimit po vjen dhe më 7 tetor do të zgjohemi në një Kosovë ndryshe.

“Lidhja jonë ka mbijetuar dhe është më e fortë se kurrë”, tha zonja Osmani.

Duke i komentuar akuzat nga kundërkandidatët, ajo tha se se ata kanë mbetur të vetmuar, pa përkrahje qytetare.

“Ata janë të vetmuar, unë e kam ekipin. Ky ekip në Prizren e ka në ballë komandant Anton Qunin. Disa prej tyre po thonë Vjosa nuk ka guxim. Qysh nuk ka Vjosa guxim kur e ka komandant Qunin krah të djathtë dhe përkrahjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo ushtri jona është tepër e fortë”, pohoi Vjosa Osmani.

Ajo i falënderoi familjarët e heronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, që ishin të pranishëm në këtë manifestim për ta përkrahur zgjedhjen e saj kryeministre e Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, theksoi se liria e Kosovës është kërcënuar seriozisht nga krimi, korrupsioni dhe nepotizmi.

“Demokracia është e lënduar, sepse autokratët po donë me e sjellë kulturën e lindjes në vendin tonë, por LDK-ja nuk do të lejojë një gjë të tillë”, tha Haziri për të shtuar se tubimi në Prizren është dëshmi se LDK do të fitoj më 6 tetor “rrast e fort”.

(Kosova Sot Online)