VV akuzon koalicionin NISMA-AKR se po shpërndan ushqime për vota

  • 28 September 2019 - 13:23
VV akuzon koalicionin NISMA-AKR se po shpërndan ushqime për vota

Lëvizja Vetëvendosje po akuzon koalicionin NISMA-AKR se ka filluar të shpërndajë pako ushqimore për përfitim votash. Disa fotografi të shpërndara në rrjetet sociale shihen pako ushqimore në një lokacion në lagjen Ulpiana në Prishtinë ku janë parë edhe fletëvotime për të votuar koalicionin NISMA-AKR-PD me kandidatë për deputetë. Gazeta Express ka kontaktuar zyrtarë të NISMA-s dhe AKR-së për të marrë një deklaratë nga ta. Zyrtarë nga AKR kanë mohuar që janë duke shpërndarë ushqim për vota ndërsa nga partia NISMA nuk janë përgjigjur.

Kur kanë mbetur edhe një javë deri në ditën e zgjedhjeve, partitë politike janë mobilizuar që me forma të ndryshme të bindin qytetarët që t’i votojnë.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti ka publikuar në profilin e tij zyrtar fotografi ku shihen disa qytetarë duke pritur që të marrin pako me ushqim.

Lokacioni ku besohet se është duke u shpërndarë ushqimi është në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Në fotografitë që po qarkullojnë shihen fletëvotime ku është i shënjuar numri 122 i koalicionit NISMA-AKR-PD.

Zyrtarë nga Aleanca Kosova e Re kanë mohuar të jenë të përfshirë në çfarë do organizimi për të shpërndarë ushqime për vota.

“AKR nuk është e përfshirë në asnjë organizim të tillë sepse AKR-ja nuk është e interesuar që në këto forma të përfitojë vota”, ka thënë një zyrtar i AKR-së.

Express ka tentuar të kontaktojë edhe zyrtarët e Nismës SocialDemokrate por që nuk janë përgjigjur në telefonatë.

(Kosova Sot Online )