“Premtimet milionëshe”, vjen thirrja e madhe për kosovarët

  • 29 September 2019 - 07:28
 “Premtimet milionëshe”, vjen thirrja e madhe për kosovarët

“Për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës po flitet shumë, por jo për gjëra të kapshme. Gjatë fushatave parazgjedhore flasin për zhvillim ekonomik, për financimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, që janë katalizator për zhvillim ekonomik, por kur vijnë në pushtet as që i marrin parasysh njerëzit që kanë projekte për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Fillimi pjesës së dytë finale të fushatës zgjedhore nga partitë politike, që nga dita e parë, sipas analistëve politikë ka shpërfaqur fillimin e zbrazjes së premtimeve tradicionale mashtruese, të ditura e të njohura nga qytetarët, edhe në zgjedhjet e kaluara.

Image
Faik Krasnqi

Ky është konstatim i analistëve të politikës të cilët po e përcjellin gjithë ecurinë e garës së filluar për zgjedhjet e 6 tetorit, duke filluar nga para fushata e hershme, edhe tani në fushatën e rregullt.

So[as tyre, partitë politike që nga dita e parë, e kanë hapur tërësisht kutinë e madhe të mashtrimeve elektorale me premtimet e tyre milionëshe për investimet që do t’i bëjnë, e që nuk i bënë në mandatin që ju mbeti pas.

Kandidatët për kryeministër po i përmendin tani shifrat e milionëve, që sipas tyre do t’i ndajnë qeveritë e tyre, në shuma marramendëse sikur të ishin letra të pa vlerë.

Fatmir Limaj nuk u kursye të premtojë zhvillim ekonomik, përmes investimeve të fuqishme në bujqësi deri në 500 milionë euro brenda një mandati qeverisës, kurse kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, u zotua për investim të milionave në një varg fushash, duke përfshirë këtu 160 milionë euro investime në arsim përgjatë një mandati.

E kështu milionat po shpërndahen pa kursim nga të gjithë kandidatët, derisa Kadri Veseli i PDK-së u tregua zemërgjerë dhe i ngriti përnjëherë pensionet në masën 88%.

Mirëpo analistët politikë ua tërheqin vërejtjen qytetarëve që të mos bien lehtë pre e këtyre mashtrimeve elektorale, sepse edhe këto premtime pompoze për investimet, sikurse ato për punësime të reja, do të mbeten vetëm fjalë në erë, sikurse premtimet e mandateve të kaluara kur secili subjekt politik premtonte qindra mijëra të punësuar me programin e vetë, dhe ndodhi ajo që ndodhi, një qeveri megalomane dhe fryrje e administratës publike me klientelat e ngushta partiake të partive politike të inkriminuara në koalicionin PAN.

“Hapja e kutisë së gënjeshtrave dhe mashtrimeve, nga ana e politikanëve bëhet në çdo palë zgjedhje. Gënjeshtrat e tyre janë të pafundme. Ky popull të ngjanë sikur është me Sklerozë Multiple. Harrojnë se çfarë u kanë premtuar dhe çfarë kanë bërë”, tha analisti politik, Faik Krasniqi për Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, në këtë rast duhet diferencuar vetëm kreun e VV-së Kurtin sepse ai nuk ka pasur rastin të jetë në ekzekutiv prandaj sado kudo, premtimet e tij janë më të kapshme dhe të kujdesshme, që dallojnë nga të tjerët që po i përsëritin premtimet me dështime nga e kaluara.

“Albin Kurti kurrë s'ka qenë në pushtet. Për hir të së vërtetës s'mund ta fusim në një thes me këta gënjeshtarët dhe mashtruesit e dy dekadave të fundit. Nëse edhe ky nuk i mbanë premtimet, atëherë lirisht e fusim në një bashkë me këta. Por do të ishte e pa ndershme që ta fusim tani në një thes me ta sepse 160 milion euro për një mandat investime në arsim nuk janë shumë dhe nuk është diçka e ekzagjeruar”, shtoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, për dallim nga premtimet e opozitës së deritanishme që duken më të kujdesshme dhe të kapshme, demode dhe të pa kapshme po dalin premtimet e ish pushtetarëve të deritanishëm, që kanë harruar se çfarë kishin premtuar në të kaluarën çfarë kanë realizuar dhe për çfarë po zotohen tani.

“Për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës po flitet shumë, por jo për gjëra të kapshme. Gjatë fushatave parazgjedhore flasin për zhvillim ekonomik, për financimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, që janë katalizator për zhvillim ekonomik, por kur vijnë në pushtet as që i marrin parasysh njerëzit që kanë projekte për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik. Të njëjtit janë duke kërkuar prapë votën tone, dhe flasin tërë kohën edhe gjatë kësaj fushate për financimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, e sidomos për bizneset fillestare(Start-up). Kanë emra dhe mbiemra ata njerëz që vazhdimisht kanë gënjyer, e aty janë nga të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet”, shtoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, këtyre që kanë qenë në pushtet, kurrë nuk mundë të ju besohet derisa janë testuar në të kaluarën, por gjithçka do të varet nga populli tani, sa do ta kemi popullin të vetëdijesuar.

“Është momenti u duhur tani që mashtruesit e deri djeshme, që po premtojnë sot, e që e kishin pushtetin, të dënohen,këtyre asnjë vote nuk ju kisha dhënë. Duhet të jemi të siguritë se ai që të gënjen njëherë, ai do të të gënjej gjithmonë!”, përfundoi Faik Krasniqi për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)