Kërkesa e ambasadorëve, profesori i njohur shpërthen me akuza për politikanët

  • 29 September 2019 - 07:38
Kërkesa e ambasadorëve, profesori i njohur shpërthen me akuza për politikanët

“Në vendin tonë, mjerisht ekziston një nivel i lartë i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, si dhe i shumë dukurive shoqërore e politike tjera, tejet të dëmshme e shëmtuese. Një klasë politike , jo gjatë ushtrimit të bizneseve, por të funksioneve politike, është pasuruar në rrethana nebuloze gjithnjë në demin e pasurisë publike”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka i konsideron të drejta, madjee edhe të dobishme vërejtjet e shpeshta të cilat disa miq ndërkombëtar, ambasador të vendeve mike po i adresojnë rreth dobësive që po vazhdojnë ta përcjellin me dekada sistemin e drejtësisë në Kosovë, mungesën e efikasitetit në luftën kundër krimit e korrupsionit, sidomos atij të nivelit të lartë.

Image
Riza Smaka

Sipas Smakës, nuk është as e pa njohur dhe as tabu tema e korrupsionit, prania e tij enorme në shumë fusha të jetës publike, në nivel institucionesh të ndryshme. Prandaj me të drejtë miqtë e Kosovës, sponsorizuesit shtetit më të ri në botë, shprehin shqetësimin e tyre dhe kërkojnë rend dhe ligj në shtetin për të cilin kanë investuar, e nuk e dëshirojnë që të mbetet storje e dështuar, por e suksesit të përbashkët.

“Prandaj vazhdojnë të insistojnë në vendosjen e një sistemi të drejtë të drejtësisë që lufton krimin e korrupsionin e njohur botërisht e publikisht. Në vendin tonë, mjerisht ekziston një nivel i lartë i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, si dhe i shumë dukurive shoqërore e politike tjera, tejet të dëmshme e shëmtuese. Një klasë politike, jo gjatë ushtrimit të bizneseve, por të funksioneve politike, është pasuruar në rrethana nebuloze gjithnjë në demin e pasurisë publike! Poligonet më të përshtatshme të pasurimit të kundërligjshëm e për aq të kundër moralshëm janë rrethanat e jashtëzakonshme gjatë luftës për çlirimin e vendit, si dhe të pas luftës në sferat e shantazhimeve violente, privatizimeve të aseteve publike në kundërshtim me rregullat e kërkuara si dhe të tenderimeve problematike”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Smaka po ashtu thotë se me të drejtë miqtë ndërkombëtar po reagojnë për politizimin e të gjitha institucioneve të pa varura, edhe të drejtësisë që po ndikohet tërësisht nga politika.

“Sikundër sistemi i drejtësisë, ashtu edhe me tepër administrata publike, gjithnjë ndodhen nën influenca të fuqishme të oligarkëve në fjalë dhe vështirë që do të mund të lirohen nga vargonjtë e mbërthyer prej tyre. Gjatë punësimeve, veçanërisht në administratën publike, shpesh herë , në vend të meritokracise janë aplikuar kritere nepotiste, familjare e korruptive ! Së andejmi është stërgrumbulluar administrata publike me të punësuar për paga mujore të rregullta por më rralle për kryerje të punëve konkrete me profesionalizëm e përkushtim”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Nga ky aspekt, edhe kërkesa e ambasadorit Britanisë, sikurse atij të SHBA-ve por edhe të shteteve të Kuintit për të mos i votuar individët e korruptuar, sipas profesorit Smaka është me vend dhe e qëlluar, por nuk mjafton dot po që se nuk do të identifikoheshin konkretisht së pakut një duzinë e pushtetarëve me influencë të dyshuar për forma korruptive të ndryshme.

Pastrimi i krejt kësaj gjendje, sipas tij, mundë të realizohet vetëm nëse qeveria e re marr hapa konkret reformator në sundimin e ligjit, duke i dhënë dorë të lirë drejtësisë që të mos i kursehen së ndjekuri të gjithë të korruptuarit.

“Nga ekzekutivi i ardhshëm duhet të kërkohet me ultimatum për të programuar përgatitjen serioze të aktit ligjor për hulumtimin e origjinës së pasurisë , sekuestrimin e pasurisë antiligjore dhe ndërmarrjen e sanksioneve juridike - civile e penale kundër personave të konstatuar si të korruptuar në dëmin e aseteve publike, të pasuruar nëpërmjet uzurpimeve arbitrare të atyre aseteve”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sa i takon kërkesës së ambasadorit Britanisë për reforma të thella sistemore, Smaka ka identifikuar edhe ligjet që duhet të përfshij ajo reformë.

”Ndër të tjera kërkohet përgatitja, përkatësisht i plotësimeve e përmirësimeve të Ligjit për Qeverinë, Ligjit për Administratën Publike, Ligjit për Organizimin e Sistemit të Drejtësisë, Ligjit për Origjinën e Pasurisë, Ligjit për Përgjegjësinë Politike e Morale të Titullarëve të Funksioneve Publike, Ligjit për Universitetin dhe Kolegjet Private, Ligjit për Shëndetësinë Publike e Private, Ligjit për ASHAK-un”, përfundoi profesori Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)