Qëllohet për vdekje truproja e mbretit të Arabisë Saudite

  • 29 shtator 2019 - 13:26
Qëllohet për vdekje truproja e mbretit të Arabisë Saudite

Një nga truprojet kryesore të mbretit të Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud, është vrarë në atë që autoritetet e quajnë mosmarrëveshje personale. Lajmin e bëri të ditur televizioni shtetëror i këtij vendi, por nuk u dhanë shumë hollësi për incidentin që e ka tronditur mbretërinë.

Shumë njerëz shprehën ngushëllime në rrjetet sociale për truprojën Abdulaziz al-Fagham. Shumë prej ngushëllimeve ishin të shoqëruara me fotografitë e tij kur ishte duke punuar. Në njërën prej fotografive shihej truproja e ndjerë duke e ndihmuar mbretin për t’i lidhur lidhëset e këpucëve.

Nuk dihen rrethanat e këtij incidenti. Ndonëse zyrtarë të ndryshëm shtetërorë shprehën ngushëllime në internet për truprojën e vrarë, fjalët e vetme zyrtare për vdekjen e tij erdhën përmes njoftimit të televizionit shtetëror.

Disa orë më vonë, agjencia shtetërore e lajmeve tha se një mik i truprojës e ka qëlluar atë me armë zjarri dhe e ka vrarë, ndërsa një shtetas tjetër saudit dhe një punëtor filipinas janë plagosur.

Sulmuesi më pas u përball me të shtënat e forcave të sigurisë, të cilat e vranë atë, ndërsa pesë pjesëtarë të policisë mbetën të plagosur.

Krimet me armë janë të rralla në Arabinë Saudite, ku vrasësit dhe trafikuesit e drogës dënohen me ekzekutim sipas ligjit të rreptë islam, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)