Koalicioni 100% Kosovë do të bëj ndërhyrje rrënjësore për përmirësimin e sistemit arsimor

  • 29 September 2019 - 13:30
Koalicioni 100% Kosovë do të bëj ndërhyrje rrënjësore për përmirësimin e sistemit arsimor

AAK dhe PSD sot kanë mbajtur konferencën e radhës me Driton Çaushin dhe Teuta Haxhiun, ku është folur për platformën e koalicionit lidhur me përmirësimin e gjendjes së arsimit. Janë dhjetëra pika përmes të cilave synohet që arsimi parauniversitar dhe ai universitar të përmirësohen.

I pari e ka marrë fjalën Driton Çaushi nga PSD, i cili ka thënë se është e nevojshme dhe e dosmodoshme një reformë e përgjithshme për sistemin arsimor, ku ka thënë se qëllim duhet të jetë prodhimi i dijes që i shërben shoqërisë. Çaushi ka theksuar se AAK dhe PSD do ta zëvendësojnë strategjinë aktuale për arsimin me një strategji tërësisht të re. Ai ka renditur disa pika më të rëndësishme ku do të ketë ndërhyrje imediate, sidomos në arsimin universitar.

“Duhet ndërhyrë në radhë të parë në Fakultetin e Edukimit, për shkak se është rasti i nevojshëm dhe i domosdoshëm që të ofrojmë përgaditje të mirëfillitë të mësuesve që mëtutje do të shërbejnë në shkollat e Republikës së Kosovës. Kjo do të bëhet nëpërmjet rritjes së kritert për pranimin në Fakultetin e Edukimit. Do të mbështesim autonominë e institucioneve që merren me cilësinë e Arsimit në Kosovë. Kontrolli do të jetë i shtuar në Universitete për Plagjiaturë”, tha Çaushi

“Do të ofrojmë bibliotekë elektronike për studentët, ku do të mundësohet qasja në literaturë cilësore ndërkombëtare. Përveç kësaj do të përkujdesemi që të ketë rritje të fondit për shkencë, hulumtime shkencore. Një mbështetje e tillë ka ekzistuar, mirëpo do të sigurohemi që përveç rritjes këtë mbështetje ta marrin institucionet që ofrojnë kushte dhe cilësi menaxheriale për hulumtime shkencore.

Do të koordinohemi me partnerin tonë të koalicionit që arsimi i lartë të jetë falas, si për nivelin bachelor ashtu edhe për nivelin master”, është zotuar Çaushi ndër të tjera në këtë konferencë. Ndërkaq, Teuta Haxhiu nga AAK, ka thënë se ka një strategji të detajizuar për ndërhyrje edhe në sistemin e arsimit parauniversitar.

Si pikë më të fortë, ajo e ka përmendur depolitizimin e arsimit parauniversitar, e më specifikisht përmes depolitizimit të punësimit. Haxhiu ka përmendur edhe disa pika të tjera të strategjisë së këtij koalicioni, ku përfshihet edhe rritja e buxhetit për arsimin prej 50 për qind. “Për arsimin parafillor dhe arsimin e mesëm, në radhë të parë, e kemi depolitizimin e arsimit në përgjithësi, gjë të cilën do ta bëjmë edhe përmes rishiqimit të ligjeve, por edhe përmes përshtatjes së udhëzimeve administrative.

Çdo shkollë në Kosovë do të ketë pedagog dhe psikolog. Gjithashtu kontrolle rutinore shëndetësore dhe shujta të shëndetshme për nxënësit parafillor dhe fillor. Zbatim i ligjit parauniversitar, hapje e dy çerdheve në secilin qytet. Të gjitha këto që i përmendëm, do të arrihen përmes rritjes së buxhetit për 50 për qind.

Aktualisht buxheti i Republikës së Kosovës për arsim është rreth 300 milionë, ne synojmë që ta rrisim për 50 për qind”, ka thënë në fund Haxhiu.

(Kosova Sot Online)