Zbulohet: Ja cila është prapaskena e partive politike për...

  • 29 September 2019 - 19:30
Zbulohet: Ja cila është prapaskena e partive politike për...

“Mungesa e këtyre alternativave që do të duhej të shtrohen e të diskutohen në debate me qytetarët, partitë politike po I zëvendësojnë me sharjet e fyerjet ndaj njëra-tjetrës, duke prodhuar një tifozllëk primitive të një pjesë e qytetarëve, për të cilët më nuk është interesante se çfarë po premtohet për problemet e akumuluara për vite në Kosovë e që prekin drejtpërdrejtë jetën e tyre, por kush po fyen e kush po shanë më “mirë” e më shumë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse partitë politike e filluan fushatën zgjedhore disa ditë para afatit të përcaktuar ligjor nga KQZ, premtuan dhe u shfrynë me fyerje e sharje kundër njëri-tjetrit, me të njëjtin trend dhe dinamikë po e vazhdojnë edhe fillimin dhe vazhdimin e pjesës dhjetëditore të fushatës së rregullt.

Fjalori i acaruar, pa zgjedhur akuzat dhe shprehjet më banale, janë skena të shpeshta që po i shohim në debatet publike të fillimit të kësaj fushate.

Analistë politikë theksojnë se kjo fushatë me sharje e fyerje banale, me ofendime të rënda nga oponentët e shumicës së partive politike ndaj njëri-tjetrit, flet më së miri për mungesën e programit real dhe mungesën e argumentimit para qytetarit, për t’i ofruar atij alternativë serioze të qeverisjes, dhe për mbulesë të mungesës së këtyre ofertave, po shpërfaqet arrogancë dhe mungesa e kulturës për të debatuar dhe ofruar alternativat më të mira për qeverisje, ndryshe nga e kaluara kriminale dhe e korruptuar.

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri tha për “Kosova Sot Online” se kontaminimi i ambientit politik në këtë fushatë të zgjedhjeve, me fyerje e sharje në mes oponentëve politik, nuk është i shëndetshëm as për partitë politike dhe kulturën e politikbërjes së tyre e dhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi,

“Sepse është imitim i keq i kulturës së rrugës që po përdorin politikanët në Shqipëri. Ky fjalor që është karakteristik në skenën politike në Shqipëri, importimi I tij edhe në skenën politike kosovare, sjellë polaqizimin që për pasojë do të ketë tensionime të vazhdueshme në mes partive politike dhe ngushton hapësirën e dialogut ndërpartiak edhe në të ardhmen, pasi jo çdo gjë përfundon me zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Së këndejmi, sipas Hazirit ky fjalor fyerjesh në mes oponentëve politikë, tregon edhe për paaftësinë e partive politike që para qytetarëve të Kosovës të sjellin programe e alternativa qeverisëse, si mundësi për t’iu dhënë zgjidhje problemeve që ka sot shoqëria kosovare,

“E që janë të shumta duke filluar nga izolimi I vendit dhe mungesa e lëvizjes së lirë në Shengen zonë, mungesa e zhvillimit ekonomik, shkalla e lartë e papunësisë, gjendja e rënduar sociale, mungesa e cilësisë në arsim e shëndetësisë, e të tjera. Mungesa e këtyre alternativave që do të duhej të shtrohen e të diskutohen në debate me qytetarët, partitë politike po I zëvendësojnë me sharjet e fyerjet ndaj njëra-tjetrës, duke prodhuar një tifozllëk primitive të një pjesë e qytetarëve, për të cilët më nuk është interesante se çfarë po premtohet për problemet e akumuluara për vite në Kosovë e që prekin drejtpërdrejtë jetën e tyre, por kush po fyen e kush po shanë më “mirë” e më shumë. Kjo ndikon negativisht në demokracinë dhe zhvillimin shoqëror dhe po ashtu nuk krijon mundësi për ndryshim të konceptit qeverisës nga ato konceptet kriminale e mafioze të qeverisjes së PAN-it”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)