Ky ishte reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje menjëherë pas incidentit mes Abazit dhe Molliqajt

  • 29 September 2019 - 21:50
Ky ishte reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje menjëherë pas incidentit mes Abazit dhe Molliqajt

Është bërë publike video e rrahjes mes Dardan Molliqaj dhe Haki Abazit.

Në të shihet se si shoqëruesi i kandidatit për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Dardan Molliqaj, së bashku me këtë të fundit, e sulmojnë kandidatin e Vetëvendosje për deputet.

Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar menjëherë pas rrahjes në emision.

“Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive”, ishte shkraur në faqen zyrtare të këtij subjekti në Facebook.

Më pas, VV e kishte quajtur ish-anëtarin e saj, kandidat të AAK’së.

“Pas emisionit kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesi i tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë. Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizive”

Tutje Lëvizja Vetëvendosje kishte shtuar se publiku nuk e meriton këtë degradim të debatit dhe kishte kërkuar nga autoritet që të ndërhyjnë për të marrë masa.

“Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë. Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazit, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike”, thuhej në postim ku shfaqej mbështetja e plotë për Abazin pas incidentit.

(Kosova Sot Online)