Kurti zgjedh ta godasë LDK’në: Ata që mbushën autobusët, diçka nuk kanë mbushur kurrë

  • 29 September 2019 - 23:23
Kurti zgjedh ta godasë LDK’në: Ata që mbushën autobusët, diçka nuk kanë mbushur kurrë

Në kohën kur videoja e rrahjes mes Dardan Molliqajt të PSD’së dhe Haki Abazit të Vetëvendosjes është tema më e diskutuar, lideri i VV’së Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook e ka thumbuar LDK’në.

Një status për varfërinë, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, e ka nisur me një fjali për të cilën është akuzuar LDK’ja së fundmi.

Kurti thotë se ‘këta që po mbushin autobusët’, nuk kanë arritur asnjëherë të mbushin barkun të varfërve.

“Këta që po mbushin autobusët për të mbushur sallat, ka diçka që s’e kanë mbushur kurrë. E ai është barku i thatë i fukarasë. Mbi 18% e popullsisë në Kosovë janë të varfër. Çdo i dyti është i papunë e afër 350 mijë vetë na kanë ikur nga skamja e mjerimi e diskriminimi. Me 6 tetor, kur hedhim fletëvotimin me numër 126 në kuti, me dorën tonë i japim shqelmin korrupsionit në qeveri dhe mjerimit në popullsi”, ka shkruar Kurti.

Vetëvendosje dhe partitë e tjera e kanë akuzuar LDK’në se ka sjellë qytetarë me autobusë në tubimin e hapjes së fushatës, që sipas numrave, ishte më i madhi.

LDK e Vetëvendosje kanë acaruar gjuhen gjatë fushatës, ndërsa para nisjes së saj dy partitë më të mëdha opozitare kishin biseduar për të hyrë në një koalicion parazgjedhor.

LDK sot ka akuzuar Vetëvendosjen se faqet përkrahëse të saj po shpërndajnë lajme të rreme, në të cilat thuhet se kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, po paguan qytetarë të shkojnë në tubime.

(Kosova Sot Online)