‘Ndërhyn SHBA’, ja kur mund të liberalizohen vizat për Kosovën

  • 30 September 2019 - 07:21
‘Ndërhyn SHBA’, ja kur mund të liberalizohen vizat për Kosovën

“Sigurisht që pas rolit prijës në dialogun me Serbinë, është shumë e pritshme që SHBA ta merr përsipër edhe presionin mbi BE-në, për ta zhbllokuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky angazhim do të jetë mjaft me interes dhe pozitiv pas dështimit të plotë të politikës kosovare edhe në këtë proces”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Prolongimi i gjatë i vendimmarrjes nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, për qytetarët e Kosovës, edhe përkundër vlerësimit pozitiv dhe rekomandimit të njëjtë nga Parlamenti Evropian, ka ngjallur reagime kundër kësaj zvarritje edhe në SHBA, gjegjesisht nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image
Bislim Aliu

Analistët politikë vlerësojnë se tani krahas rolit prijës në dialogun me Serbinë, SHBA-ja po synon ta merr përsipër edhe presionin mbi BE-në për ta zhbllokuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pas dështimit të plotë të politikës kosovare edhe në këtë proces.

Analisti politik, Bislim Aliu konsideron se është mjaft shpresëdhënës për shtytjen përpara të këtij procesi reagimi i Komitetit për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që drejtohet nga kongresmeni Eliot Engel, i cili ka dalë në përkrahje të plotë të Kosovës, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i liberalizojë vizat për kosovarët, derisa vlerësimi për kriteret ka dalë të jetë pozitiv edhe për herën e dytë.

Një reagim i tillë i Komitetit për Punë të Jashtme që drejtohet nga Engel, ka ardhur pasi ditë më parë pasi Komiteti LIBE i Parlamenti Evropian, ka mbështetur edhe një herë Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave, por pragu që nuk po kalohet akoma është Këshilli I ministrave të BE-së, ku secili vend duhet të deklarohet veç e veç.

Mirëpo, analisti Aliu konsideron se tanimë me ngritjen e zërit edhe nga SHBA-të, gjërat do të lëvizin më shpejtë në të mirë të qytetarëve të Kosovës, kështu që viti tjetër duhet të jetë vit i shpresë për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen, sikur qytetarët e vendeve të tjera të rajonit.

“Sigurisht që pas rolit prijës në dialogun me Serbinë, është shumë e pritshme që SHBA-ta e merr përsipër edhe presionin mbi BE-në, për ta zhbllokuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky angazhim do të jetë mjaft me interes dhe pozitiv pas dështimit të plotë të politikës kosovare edhe në këtë proces. Kjo për ne do të jetë një shpresë e madhe, për shtytjen përpara të këtij procesi, për të cilin reagon Komiteti për punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që drejtohet nga Eliot Engël, i cili ka dalë në përkrahje të plotë të Kosovës, duke i bërë thirrje vizat për kosovarët”, tha analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ndërhyrja amerikane sa i takon përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët, vjen nga fakti se disa vende të BE-së po hezitojnë që ta ndezin dritën e gjelbër për kosovarët, kështu që falë mosmarrëveshjeve në mes vendeve të BE-së, kosovarët po mbeten qytetarët e vetëm të izoluar, pa të drejtën e lëvizjes së lirë në BE.

“Sigurisht që ky reagim, i Komitetit për punë të Jashtme, që drejtohet nga Eliot Engël, ka ardhur, pasi ditë më parë Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian, ka mbështetur edhe një herë Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave, por pragu që ende nuk po kalohet akoma, është Këshilli i Ministrave të BE-së, ku secili vend veç e veç duhet të deklarohet. Ne mbetmi me shpresë se një shtytje pozitive, kërkesë që vjen edhe nga SHBA-të në drejtim të vendeve të BE-së, do të ketë efektin e vetë pozitiv, dhe Kosovarët do ta fitojnë të drejtën e tyre të lëvizjes së lirë në vitin tjetër, pas konsolidimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit”, përfundoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)