Alarmuese: Ky është skandali i radhës nga Thaçi e Pacolli, kërkohet shkarkimi i Presidentit

  • 30 September 2019 - 07:30
Alarmuese: Ky është skandali i radhës nga Thaçi e Pacolli, kërkohet shkarkimi i Presidentit

“Mendoj se kupa me dështimet e një pas njëshme është mbushur, janë bërë shumë gabime edhe në planin e rrezikimit të integritetit dhe sovranitetit të shtetit, prandaj është koha e një vlerësimi të plotë të performancës së Presidentit të vendit Hashim Thaçi, dhe për shkarjet që ka bërë, të qëllimshme apo nga padituria, të iniciohet procedura e shkarkimit nga përbërja e re e kuvendit, sipas procedurës së paraparë me ligje dhe me kushtetutë”, tha Hertica për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, e kanë vlerësuar krejtësisht të kotë dhe pa asnjë rezultat diplomatik për Kosovën, vizitën e fundit të presidentit Hashim Thaçi në SHBA, i shoqëruar edhe nga Ministri, Behgjet Pacolli, të cilët nuk arritën të kenë as edhe një takim të vetëm të rëndësishëm gjatë qëndrimit të tyre në New York.

Image
Ali Hertica

Analisti politik, Ali Hertica konsideron se ky është edhe një skandal tjetër nga kjo dyshe, që është bërë madje e rrezikshme për Kosovën.

Duke qenë në kohë të gjatë në krye të shtetit, Thaçi edhe si kryeministër, edhe tani në cilësinë e kryetarit të shtetit, kurse Pacolli në politikën e jashtme për dy mandate të një pas njëshme, Hertica konsideron se pikërisht këta të dy janë dyshja që e rrënuan me themel diplomacinë dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, prandaj është e kohës dhe e domosdoshme që të gjendet rrugë për eliminimin e tyre nga jeta institucionale, sidomos të niset procedura e shkarkimit të Thaçit nga pozita e presidentit.

“Dështimet e njëpasnjëshme të politikës kosovare në arenën ndërkombëtare janë rezultat i kësaj politike jo profesionale dhe të dobët. Shikuar realisht, nga pozita e diplomacisë kosovare, mundë të thuhet se Kosova është objekt shfrytëzimi dhe jo objekt ndërtimi. Kosova deri më tash ka dështuar të ndërtojë një diplomaci funksionale dhe profesionale, sepse në këtë fushë, kaherë janë duke prirë dy figurat më të dështuara në politikë e të mos flasim për skandalet e tyre në diplomaci, që janë Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit”.

“Dështimi i këtyre dy figurave politike të Kosovës, vetëm sa e ka përforcuar dukshëm pozitën diplomatike të Serbisë armike për çështjen e Kosovës, ndërkaq që e ka dobësuar shtetin tonë. Kjo pasqyrë u pa edhe gjatë vizitës së fundit në SHBA që e zhvilluar dy ortakët besnik Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, e të cilët u sorollatën gjithandej korridoreve të Asamblesë së Kombeve të bashkuara, por nuk patën asnjë takim me peshë nga i cili do të përfitonte shteti i Kosovës. Unë mendoj se kupa me dështimet e një pas njëshme është mbushur, janë bërë shumë gabime edhe në planin e rrezikimit të integritetit dhe sovranitetit të shtetit, prandaj është koha e një vlerësimi të plotë të performancës së Presidentit të vendit Hashim Thaqi, dhe për shkarjet që ka bërë, të qëllimshme apo nga padituria, të iniciohet procedura e shkarkimit nga përbërja e re e kuvendit, sipas procedurës së paraparë me ligje dhe me kushtetutë”, shtoi Hertica për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Hertica, diplomacia kosovare e drejtuar në këto vitet e fundit kryesisht nga Thaçi e Pacolli, më një fazë ndërmjetësuese nga Enver Hoxhaj, por që shef e kishte Hashim Thaçin,ka mbetur një diplomaci krejtësisht e dështuar, në vend që të ndërtohet e avancohet në këto vitet e pavarësisë.

“Ajo ka shkuar me hapa mbara duke u rrënuar dhe degraduar. Është një dështim total arenën ndërkombëtare, pasi prioritetet e politikës së jashtme, në vend se të jenë afatgjata, me strategji të mirë punuar për interesin e shteti, kemi pasur plane të interesave afatshkurtra që kanë krijuar vetëm konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve ndërkombëtarë. Kjo ka sjellë si çmim të shtrenjtë që po e paguajmë tani edhe ndërprerjen e procesit të njohjeve që është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar”, deklaroi Hertica për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Hertica, rrënimi i diplomacisë kosovare ka ndodhur, ngase është ndërtuar vetëm në baza klineteliste, varësisht nga ndryshimet e politikës në formacionet e qeverisjes së shtetit, mandat pas mandati që nga shpallja e parësisë, e ku ka dominuar kryesisht PDK-ja me AKR-në.

“Diplomacia kosovare që nga themelimi i saj është ndërtuar mbi baza jo të meritokracisë, por mbi baza të familjarizimeve, nepotizmave, përkatësive të ngushta dhe shumë të theksuara politike dhe kjo ka qenë evidente që nga momenti i themelimit. Në dy vitet e fundit ajo që është vërejtur akoma më shumë nga fakti se vetëm është forcuar ai trend i politizimit dhe klanizimit të politikës së jashtme, qoftë nga pjesa e udhëhequr nga ana e Qeverisë së Kosovë, qoftë edhe nga pjesa tjetër e përgjegjësive që ka pasur në përcaktimin e stafit diplomatik, nga ana e presidencës, presidentit Hashim Thaçi”, përfundoi analisti politik, Ali Hertica për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)