Sot varroset ish-presidenti francez, Jacques Chirac

  • 30 September 2019 - 10:21
Sot varroset ish-presidenti francez, Jacques Chirac

Rreth 30 liderë botërorë, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, janë mbledhur të hënën në kryeqytetin francez për funeralin e ish-presidentit të ndjerë, Jacques Chirac, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 86-vjeçare.

Chirac është vlerësuar lart nga shumë francezë për forcimin e rolit të Francës si faktor ndërkombëtar dhe për kundërshtimin e pushtimit të Irakut në vitin 2003, ndërsa dënimi pas përfundimit të mandatit lidhur me keqpërdorimin e fondeve publike nuk ia prishi shumë imazhin.

Trupit të presidentit të ndjerë do t’i bëhen nderime ushtarake në qendër të Parisit para se ai të dërgohet për ceremoni fetare në kishën “Saint Sulpice”.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe krerët e shteteve të ndryshme të botës, ndërsa më vonë, presidenti francez, Emmanuel Macron, do të shtrojë drekë për ta në pallatin “Elysee”.

Në mesin i liderëve që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit janë edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Ish-presidenti i ndjerë francez nga shqiptarët mbahet mend edhe për përkrahjen që kishte dhënë për fillimin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Chirac, gjatë karrierës së tij politike, përpos si president i Francës, ka shërbyer për 18 vjet edhe si kryetar i Parisit, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)