Instituti slloven për zgjedhjet e 6 tetorit: Kosovarët dëshirojnë ndryshime politike

  • 30 September 2019 - 14:36
Instituti slloven për zgjedhjet e 6 tetorit: Kosovarët dëshirojnë ndryshime politike

“Qytetarët e Republikës së Kosovës dëshirojnë ndryshime politike” ky është konstatimit që nxjerr Instituti slloven IFIMES në analizën e bërë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor në Republikën e Kosovës,.

Nga ky Institut parashikojnë që këto do të jenë zgjedhjet më të pasigurta në Kosovë, por thonë se për dikë një gjë e tillë edhe mund të sjell fat.

“Analistët thonë se këto janë prej zgjedhjeve më të pasigurta në Kosovë, por për shumë kjo mund të jetë ‘me fat”, shkruan IFIMES.

Ndërkohë teksa flitet për krijimin e koalicioneve pas zgjedhore, IFIMES parashikon vështirësi në krijimin e një ekzekutivi të ri, pasi sipas tyre në fushatën parazgjedhore akuzat dhe kundër akuzat mes partive janë ashpërsuar tej mase.

“Deri më tani, partitë kryesore kanë shkëmbyer akuza serioze, të cilat e bëjnë pothuajse të pamundur të krijohet ndonjë koalicion pas zgjedhjeve”, thuhet tutje në këtë analizë.

Tutje në këtë analizë vihet theksi edhe tek problemet me listat zgjedhore, problem ky që e përcjell Kosovën që sa herë organizohen zgjedhje.

“Kosova është një nga vendet e rajonit, (së bashku me Maqedoninë Veriore) e cila ka probleme me listën përfundimtare të votuesve, e cila është e papërpunuar dhe jo e besueshme, sepse është e palogjikshme që Kosova të ketë më shumë votues”, thuhet tutje nga IFIMES.

Tutje në këtë analizë flitet edhe për zhgënjimin e kosovarëve për faktin e mos mbajtjes së premtimeve nga politikanët dhe për faktin se populli i Kosovës vazhdon të mbetet i izoluar pa liberalizim të vizave.

“Këto premtime nuk janë realizuar, dhe për më shumë, qytetarët e Kosovës janë thellë të dëshpëruar me strukturat politike, sepse ata janë të vetmit në rajon që nuk kanë liberalizim të vizave”, shkruhet përveç tjerash në këtë analizë të institutit slloven.

Sipas IFIMES “Kosova është në një krizë të përhershme politike, prodhimi i krizave është një koncept politik dhe një mënyrë për të mbijetuar nga strukturat aktuale politike në pushtet”.

Ky institut ndër të tjera thekson edhe faktin se në Kosovë ka shkallë të lartë të nepotizmit dhe ngecje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe për mënyrën se si privatizohet pasuria publike e Republikës së Kosovës.

Në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojnë për të marrë pushtetin dy partitë që kanë qenë në opozitë, LDK’ja me Vjosa Osmanin dhe Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin.

Ndërkohë PDK’ja synon të rimbetet në pushtet me Kadri Veselin, AAK’ja në një koalicion me PSD’në ka për lider kryeministrin e deridjeshëm, Ramush Haradinajn, dhe NISMA e Fatmir Limajt në këto zgjedhje garon bashkë me AKR’në e Behgjet Pacollit.

(Kosova Sot Online)