Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

  • 01 October 2019 - 11:35
Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Çdo vit, kjo fushatë fillon më 1 tetor dhe përfundon më 31 tetor. Fushata organizohet edhe për të mbledhur fonde për kërkime shkencore për zbulimin e shkaqeve, parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e këtij kanceri. Fushata gjithashtu ofron informacion dhe mbështetje për femrat që janë të prekura nga kanceri i gjirit.

Në vitin 1993, Fondacioni i kërkimeve mbi kancerin, themeloi fjongon rozë si simbol të kancerit të gjirit, edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që kjo fjongo u përdor për të simbolizuar kancerin e gjirit. Që atëherë, fjongoja rozë u bë simboli ndërkombëtar i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe i mbështetjes së personave që e vuanin atë.

Çdo Tetor me qindra e mijëra produkte të pajisura me fjongon rozë, apo të ngjyrosura me rozë, shërbejnë si simbolikë dhe shiten me qëllim që një pjesë e vogël e të ardhurave të grumbulluara të jepet si donacion për të mbështetur kërkimet apo fushatat ndërgjegjësuese të kancerit të gjirit.

(Kosova Sot Online)